Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka thënë të mërkurën se BeH-ja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe “nuk mund të njohë dokumentet e lëshuara nga qeveria e Albin Kurtit”.
Këto komente, Dodik i ka bërë pasi që Emisari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se nuk do të ketë “karamele” për Dodik-un për zhbllokimin e marrëveshjes për heqjen e vizave me Kosovën, e arritur në kuadër të Procesit të Berlinit.
Por, autoritari Dodik ka theksuar se nuk do ta bëjë këtë edhe po t’ia jepte të gjithë Gjermaninë, duke ua pamundësuar kështu qytetarëve të Kosovës udhëtimin pa viza në BeH, paçka se kryeministri Albin Kurti njoftoi se qytetarët e BeH-së mund të vijnë në Kosovë vetëm me letërnjoftim nga 1 janari i 2025-së.
“Edhe po t’ma japësh gjithë Gjermaninë, këtë nuk do ta marrësh. Ju ende mund të vini të merrni satelitët tuaj. Ata vazhdojnë të përpiqen të na japin leksione. Nuk funksionon kështu”, ka deklaruar Dodik në një konferencë për shtyp në Sarajevën Lindore, transmetojnë mediat në Bosnje.
Përkundër marrëveshjeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisen me viza për të lëvizur në vendet respektive.
Mirëpo, kryeministri Kurti, në margjinat e Samitit të Berlinit, ka deklaruar se nga 1 janari, qytetarët e Bosnje-Hercegovinës do të mund të hyjnë në Kosovë vetëm me letërnjoftim.
Por, ndryshe nga qytetarët e Bosnje e Hercegovinës, nga kjo datë qytetarët e Kosovës nuk do të mund të lëvizin pa viza në BeH, për shkak se Republika Srpska nuk e lejon një gjë të tillë. Për ta ndaluar këtë, ajo përdor veton që ka në presidencën trepalëshe të BeH-së (boshnjake, serbe dhe kroate).







