Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, akuzoi sot Ambasadën Amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë se ka thyer hapur marrëveshjen e përfaqësuesve legjitimë dhe të zgjedhur në mënyrë demokratike të tre kombeve për ndryshimet në Ligjin Zgjedhor të Bosnjë-Hercegovinës, duke e cilësuar atë si sulmin më brutal në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Mesazhi ‘ju nuk e dini se çfarë është e mirë për Bosnjën dhe Hercegovinën, por unë e di’ është fyerja më e madhe për serbët, boshnjakët dhe kroatët, të cilët na zgjodhën ne për t’i përfaqësuar ata. A ka një kompromis më të madh të zgjedhjeve sesa fakti që nuk vendosin të zgjedhurit? A ka sulm më të madh ndaj sovranitetit dhe integritetit tonë sesa fakti që një ambasadë konteston marrëveshjen e përfaqësuesve të popullit në vendin ku ata janë mysafir”, ka shkruar Dodik në rrjetin social X, transmeton Ballkani.info.

Ai tha se SHBA-të janë më të ndjeshmet ndaj procesit zgjedhor dhe çdo përpjekje për të ndërhyrë e cilëson si ndërhyrjen më të rëndë në punët e brendshme dhe me të drejtë i percepton zgjedhjet si një të drejtë sovrane dhe të patjetërsueshme të qytetarëve të saj.

“Ata vetë thonë se dy ciklet e fundit zgjedhore vuajnë nga mangësi të mëdha, të cilat çojnë në konflikte civile dhe mendojnë se kanë një pozicion moral për të gjykuar integritetin në mbarë botën,” tha Dodik.

Sipas tij, nuk është një shfaqje nga “pozicioni moral, por nga pozicioni i forcës”.

“Kështu, Ambasada e SHBA beson se zgjedhjet në BeH janë e drejta sovrane e (ambasadorit amerikan në BeH) Michael Murphy, jo e qytetarëve të BeH,” theksoi Dodik, duke akuzuar Ambasadën Amerikane në BeH se “thanë hapur se duan të menaxhojnë të gjithë procesin zgjedhor dhe kontrollojnë”.

Ambasada Amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë paralajmëroi se ndryshimet në Ligjin Zgjedhor, të cilat i referohen zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës dhe zbatimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk mund të zbatohen vetëm me ndryshime zgjedhore, por edhe nga ndryshimet në Kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës. /Ballkani.info/

​