Gruaja e viteve 90 në Kosovë jo që e kishte të vështirë të jetonte por nuk ekzistonte fare.
I mohohej edhe e drejta elementare e një qenie njerëzore – regjistrimi.
Vjosa Dobruna, aktiviste e të drejtave të grave, në Rubikon të KTV-së tregoi se me çka u përballën në vitet e ’90-a kur lindja e vajzave nuk regjistrohej fare.
“Në vitet e 90 ne kemi pasur dëshmi në Këshillin për të Drejtat e Njeriut, dëshmi të cilat i kemi regjistruar si ngacmime. Shembull shumica në Këshill kërkonin dhe i regjistronin si shembull N.N vajza apo gruaja e këtij është ngacmuar. Kemi pasur një debat mjaft frustrues mu për këtë sepse mënyra e tillë e regjistrimit nuk kishte identitet. Shembull në qendër vinin gra që në Kosovë kurrë nuk kanë qenë të regjistruara. Ajo ka qenë pjesë e kulturës tonë e cila është bartur edhe në qytet, e cila ka qenë jo dinjitoze, për ne si shoqëri dhe jo vetëm si gra”, ka thënë ajo.
“Kjo ka qenë dukuri dhe e patëm krijuar një grup ku filluam të diskutojmë se çka mund të bëjmë. Kjo ka qenë për mua shumë befasuese. Gjatë punës ne kemi parë shumë anomali shoqërore të cilat kanë qenë jo të dinjitetshme në raport me gruan apo vajzën në Kosovë”, ka thënë Dobruna.
“Kur kam punuar në Drenicë e kam parë se familjet nuk i rregjistronin vajzat, kur lindeshin vajzat nuk i regjistronin ndërsa djemtë po, atëherë nuk dija pse po bëhet. Kur hapëm qendrën filluan të vijnë gra që nuk kanë qenë asnjëherë të regjistruara”, ka shtuar më tej ajo.







