Votimi

DnV: Qytetarët bojkotuan procesin e sotëm të votimit, anipse këtë e kishin kërkuar përmes peticionit

Demokracia në Veprim informon se ka vëzhguar procesin e votimit për ose kundër largimit të kryetarëve të  katër komunave veriore të vendit në të gjitha qendrat e votimit që nga hapja e tyre në orën 07:00 të mëngjesit. Sipas vëzhgueseve, të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur me kohë, pra në orën 19:00  ndërsa nuk është raportuar për asnjë rast ku qytetarët kanë qenë duke pritur në rradhë për të votuar.

DnV thekson se “procesi i votimit gjatë gjithë ditës është karakterizuar me mungesë të theksuar të  interesimit nga qytetarët për të marrë pjesë në votim, pavarësisht se në muajin janar mbi 20% të qytetarëve me të drejtë vote kishin nënshkruar peticionin për largimin e kryetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës. DnV vlerëson se kjo ishte një mundësi e humbur për qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarë të rinj të komunave të cilët do të gëzonin legjitimitet përfaqësues. Hedhja e votës është instrumenti i parë demokratik përmes së cilës qytetari krijon lidhshmëri dhe pjesëmarrje në politikat lokale e më pas edhe ka mundësi të kërkojë llogari nga të zgjedhurit”.

Sipas Demokracisë në Veprim kushtet teknike nëpër disa Qendra të Votimit, përkatësisht vendvotime nuk kanë plotësuar standardet e procesit të votimit.

“Vlen të përmendet përzgjedhja joadekuate e objekteve të cilat kanë luajtur rolin e Qendrave të Votimit, pasuar nga grumbullimi i disa vendvotimeve në një hapësirë të vetme, vendosja e vedvotimeve në katet e larta të ndërtesave komunale, improvizimi i zyrave ose dhomave të ngushta si vendvotime si dhe  mungesa e ngrohjes apo ndriçimit në vendvotimet e organizuara në kontejnerë. Megjithatë, procesi i sotëm ka rrjedhë në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident”.