DnV e vlerëson të qetë dhe me parregullsi të vogla procesin zgjedhor

Demokracia në Veprim ka shpalosur para mediave deklaratën preliminare për monitorimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Artan Murati nga DnV ka thënë se kjo deklaratë preliminare i paraprin raportit që do të publikohet më vonë në kuadër të vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve.

Ai ka treguar se sa persona kanë qënë të angazhuar nga DnV për monitorimin e këtyre zgjedhjeve.

“Ne si koalicion i organizatave vendore për vëzhgim të zgjedhjeve kemi qenë të angazhuar me 3000 vëzhgues në të gjitha kapacitetet. 2700 prej tyre kanë qenë vëzhgues të ditës së zgjedhjeve, derisa kemi pasë të angazhuar edhe vëzhgues afatgjatë që kanë mbuluar fushatën parazgjedhore, Ekipet Mobile dhe Qendrën e Thirrjeve”.

Murati ka shpalosur disa nga të gjeturat e DnV-së për këtë proces zgjedhor.

“Në përgjithësi, koalicioni i OJQ-ve vendore Demokracia në Veprim konsideron që zgjedhjet janë zhvilluar në frymë të qetë dhe demokratike, pa ndonjë parregullsi ose incident serioz që do të mund ta cenonte integritetin dhe besueshmërinë e publikut ndaj procesit zgjedhor në tërësi”.

“Zgjedhjet janë administruar sipas standardeve më të larta dhe në harmoni me kornizën ligjore”.

“Dita e zgjedhjeve, përkundër faktit që ka pasë parregullsi të vogla, është zhvilluar e qetë. Nuk ka pasë incident serioz që do ta diskreditonte procesin zgjedhor dhe do ta humbiste besimin qytetar në procesin zgjedhor të 6 tetor”.

DnV e ka vlerësuar punën e KQZ-së dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore si shumë të mirë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Komisionet Komunale Zgjedhore kanë treguar nivel të lartë të detyrës dhe angazhimit të tyre përgjatë këtyre zgjedhjeve duke pasë edhe qasje transparente”.

“Vlen të përmendet qysh nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, KQZ ka mbajtur gjithsej 21 mbledhje ku menjëherë janë miratuar afatet kohore edhe pse në fillim ka pasë problem në aspektin e sigurimit të financave. Këto probleme më pas janë tejkaluar”.

“Korniza ligjore, sa i përket organizimit të zgjedhjeve, ka mbetur e njëjtë nga vitet paraprake sepse Reforma Zgjedhore – ndonëse flitet qysh nga viti 2011 – nuk ka arritur të jetësohet për shkak të mungesë së vullnetit politik të subjekteve politike”.

loading…