Djemtë me dëshmi kundërthënëse ndaj babait për vdekjen e nënës së tyre pas rrahjes

A.H e A.H të dy këta djem të së ndjerës H.D dhe të akuzuarit Ilir Haxhiaj, këtë të hënë kanë dhënë dëshminë e tyre para trupit gjykues.

Djali i madh i viktimës, duke mos dashur të ballafaqohet me babanë e tij, foli nga një dhomë e veçantë, derisa tregoi për dhunën që sipas tij, kishte ushtruar babai, tashmë i akuzuari, Ilir Haxhiaj, raporton KTV.

Ai ka treguar për atë se çfarë ka parë në ditën kur 54-vjeçarja nga Rahoveci ishte dërguar në spital.

Derisa djali tjetër ka thënë të kundërtën e tij, duke dëshmuar se ndonëse raportet e prindërve nuk ishin aq të mira, babai nuk ka ushtruar dhunë ndaj nënës në 4 vjetët e fundit.

Seanca e radhës ndaj të akuzuarit Ilir Haxhiaj, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, do të mbahet të martën, kur edhe pritet të japin dëshminë e tyre eksperti mjekoligjor, Flamur Blakaj dhe eksperti i komunikacionit, Ejup Qehaja.

Ilir Haxhiaj, nga fshati Nepërbisht i Suharekës, ndodhet në paraburgim që nga 1 qershori dhe akuzohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” që sipas Kodit Penal, sjell dënim nga 5 deri në 15 vjet burgim.

H.D nga Rahoveci kishte vdekur më 15 qershor, pas dy javësh trajtimi intensiv në QKUK.