Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Gazetën Express se ka nisur hetimet për djegien e vilës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, përcjell Gazeta Express.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka thënë për Express se ngjarja ka ndodhur në fshatin Katunishtë të Podujevës dhe se rasti është cilësuar si zjarrrvënie.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton se më datën 24.09.2024, ka pranuar informatën nga Policia e Kosovës se në fshatin Katunishtë të Podujevës është duke u djegur një Vilë, Prokurori kujdestar ka autorizuar hetuesit e Policisë së Kosovës që të ndërmarrin veprime hetimore dhe të grumbullojnë provat në drejtim të veprës penale Zjarrvënia”, ka thënë ajo.
Për rastin sot janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës.
Sipas policisë, zjarri është vënë në rrethana të panjohura, teksa është lokalizuar nga zjarrfikësit.
“Podujevë 15-24.09.2024 – NN. Raportohet se në rrethana të panjohura nga zjarri është përfshirë shtëpia-vila e viktimës mashkull kosovar. Njësit përkatëse policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftim.







