Djegia e hamulloreve, ministri Peci fermerëve: Do të shqiptojmë masa

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, deklaroi sot se institucionet qendrore do të shqyrtojnë shqiptimin e masave ndaj të gjithë atyre që po i djegin hamulloret në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook shkruan se djegia e hamulloreve po shkakton ndotje të ambientit dhe njëherësh po rrezikon shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

“Djegia e kashtës do të jetë potencial i zjarreve që do të rrezikojë pasurinë e tjerëve, objektet e banimit, objektet ekonomike, si dhe djegien e pyjeve. Pas adresimit të këshillave dhe kërkesave për ndaljen e djegies së hamullorëve, do të jemi të detyruar që të shqyrtojmë edhe shqiptimin e masave ndaj secilit që djeg hamullorin e tij apo të tjetrit”, shkruan ministri Faton Peci.

Postimi i plotë:

Me shqetësim po i pranojmë raportimet për djegien e hamullorëve nga disa fermerë në disa komuna të Republikës së Kosovës. Ju bëjmë apel edhe një herë të gjithë fermerëve që të shtojnë kujdesin dhe përkushtimin e tyre për ndaljen e djegies së hamulloreve.

Jemi duke e përjetuar një mot me temperatura mjaftë të larta, prandaj edhe djegia e hamulloreve, pos që shkakton ndotje të ambientit, shkakton dëme të tjera të shumta duke rrezikuar edhe jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Djegia e kashtës do të jetë potencial i zjarreve që do të rrezikojë pasurinë e tjerëve, objektet e banimit, objektet ekonomike, si dhe djegien e pyjeve.

Ne si institucione qendrore, pas adresimit të këshillave dhe kërkesave për ndaljen e djegies së hamullorëve, do të jemi të detyruar që të shqyrtojmë edhe shqiptimin e masave ndaj secilit që djeg hamullorin e tij apo të tjetrit.

Prandaj, ju lutemi edhe njëherë ruani parcelën tuaj nga djegia, ruani shëndetin dhe ambientin, si dhe pasurinë e Kosovës.