Drenas

Djegia e fabrikës në Drenas, policia thotë se ende nuk dihen shkaktarët e shpërthimit të zjarrit

Zjarri përfshiu dje fabrikën për riciklimin e qeseve të plastikës në Parkun e Biznesit në Drenas, duke shkaktuar kështu dëme të shumta materiale.

Lidhur me këtë rast policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se ende nuk dihen shkaktarët që quan deri tek shpërthimi i zjarrit.

“Është raportuar se në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri fabrika për riciklimin e qeseve të plastikës. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë relevante policore si dhe zjarrfikësit për të lokalizuar zjarrin. Përveç dëmeve materiale të konsiderueshme nuk raportohet për të lënduar”, ka njoftuar policia.

Policia tutje bënë të ditur se rasti vazhdon të jetë në hetime.

Ndryshe, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci gjatë ditës së djeshme njoftoi se kishte ngritur shtabin emergjent.

“Pas shpërthimit të zjarrit në Fabrikën e Plastikës, në Qendrën e Biznesit Drenasi I, kam aktivizuar Shtabin emergjent të komunës së Drenasit,  në krye të të cilit jam unë. Kjo është katastrofë materiale dhe ekologjike, kam ftuar për ndihmë edhe kolegët e nivelit lokal, edhe të nivelit qendror, për shuarjen e zjarrit”, kishte deklaruar Lladrovci.

E zjarrfikësve të Drenasit për të shuar zjarrin u kishin ardhur në ndihmë edhe zjarrfikësit nga komuna e Prishtinës, Skenderajt, Malishevës, Lipjanit, Rahovecit shi dhe Njësia Speciale e Kosovës.