Djegia e dy kamionëve në Zubin Potok, policia jep detaje

Gjatë ditës së shtunë në fshatin Zupçe të Zubin Potok, u raportua se dy kamionë të një kompanie ishin përfshirë nga flakët.

Në raportin 24 orësh Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me djegien e këtyre kamionëve.

Sipas policisë njëri kamion ishte djegur tërësisht kurse tjetri pjesërisht, kurse policia raporton se zjarrfikësit e kanë shuar zjarrin.

“Dy ankues meshkuj kosovar kanë raportuar se, në rrethana të panjohura nga zjarri janë përfshirë automjetet e tyre (kamion). Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Si pasojë, dy kamion janë djegur tërësisht, ndërsa një pjesërisht. Rasti është duke u hetuar”, bëri të ditur policia.

Për RTV Dukagjini pronarët e kompanisë kishin thënë se ata nuk ndihen të sigurt të vazhdojnë punimet, vetëm nëse marrin garancion nga Policia e Kosovës.

Në vendin e ngjarjes pasditen e së shtunës kanë shkuar edhe KFOR-i talian, pjesëtarë të së cilit diskutuan me pronarët e kamionëve.

Lokacioni ku janë djegur kamionët është pak metra larg hapësirës ku para disa muajsh Policia e Kosovës u sulmua me armë zjarri.