Djali i kryetarit të Naftëtarëve rehatohet tek Besnik Bislimi

Edhe një familjar i një biznesmeni është punësuar në Qeverinë e Kosovës. Djali i kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, Dilloni është bërë pjesë e kabinetit të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.

Dillon Berjani tash e katër muaj është duke i dhënë këshilla zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, pasi ai nga janari i këtij viti është bërë pjesë e kabinetit të tij.

Nuk dihet se si ka ardhur tek punësimi i Berjanit tek zyrat e Bislimit dhe se çfarë proceduar janë ndjekur. Por, ajo që dihet dhe që është publike është se Dillon Berjani, është djali i kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

Po ashtu emrin e Dillonit e mbajnë edhe bizneset që drejtohet nga familjarët e tij, si pompa e derivateve “Dilloni Benz “, restoranti “Dilloni” dhe qendra e kontrollit teknik të veturave.

Këto biznese, sipas regjistrimit në ARBK, drejtohen nga Fadil dhe Hava Berjani, që janë babai dhe nëna e Dillonit.

Reporteri.net ka kërkuar një sqarim nga Fadil Berjani, lidhur më punësimin e djalit të tij në qeveri, por që deri më tani nuk ka kthyer përgjigje.

Kurse, nga Zyra e Kryeministrit kanë dhënë një përgjigje dhe sqarim mbi këtë punësim. Sipas tyre, punësimi i Dillonit është krejt në rregull edhe se nuk ka asnjë shkelje ligjore.

“Rrjedhimisht, Dillon Berjani ka të afërm që drejtojnë ndërmarrje të caktuara, mirëpo, nuk mund të penalizohet përmes privimit nga puna apo pozitat e caktuara, për shkak të afërsisë familjare me udhëheqës të ndërmarrjeve apo personave të ngjashëm juridik privat. Nisur nga kjo, as Ligji nuk ka penalizuar një marrëdhënie të tillë, mirëpo ka përkufizuar qartë që ndërmarrja, të cilën e udhëheq personi i afërt me zyrtarin publik, nuk mund të përfitojë nga institucioni ku ky zyrtar publik kryen detyrën e tij publike. Përfundimisht, në rast të këshilltarit Berjani, konflikt interesi nuk ka dhe ky i fundit nuk ka pengesa për të ushtruar detyrën që i është dhënë përmes emërimit nga zv. Kryeministri Bislimi”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim Publik të Kryeministrit.

Nga kjo zyre kanë treguar se sipas Ligjit për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë, këshilltarët politikë janë zyrtarë të lartë.

“Zyrtarët e Lartë, në kuptim të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, në rast që kanë pronësi apo pjesë të pronësisë në ndërmarrje, apo kur e njëjta drejtohet nga personi i besuar apo i afërmi  tyre, këto të fundit nuk kanë të drejtë të lidhin kontratë ose përfitojnë ndihmë nga institucionet qendrore ose lokale, ku zyrtari i lartë ushtron detyrë publike”.

Ndryshe, në kabinetin e zëvendëskryeministrit janë të angazhuar gjithsej 10 këshilltarë politikë, dy prej tyre të jashtëm dhe një e lartë.