Ditë e zënë për Kurtin: Merr edhe një telefonatë nga Amerika dy ditë para takimit me Vuçiqin

Pas bisedës që pati me të dërguarin e Britanisë për Ballkanin, Sir Stuart Peach, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot përmes telefonit edhe me këshilltarin e Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet.

Këtë, i pari i Qeverisë së Kosovës e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Twitter.

Ai ka thënë se biseda me Chollet ishte frytdhënëse, dhe në të është diskutuar për dialogun dhe rëndësinë që në këtë proces të ketë marrëveshje me njohje reciproke.

“Telefonatë e frytshme me këshilltarin Chollet, për shumë çështje duke përfshirë dialogun me Serbinë; duke theksuar rëndësinë e një marrëveshjeje të përqendruar në njohjen reciproke. Ai përcolli përshëndetjet e Sekretarit Blinken pas takimit tonë të mrekullueshëm në DC muajin e kaluar”, shkroi Kurti.

Ndryshe, sot gjatë ditës Kurti është takuar edhe me ambasadorët e QUINT-it dhe shefin e zyrës së BE-së në Kosovë.

Pasnesër Kurti do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.