Besimtarët myslimanë festuan sot Fitër Bajramin, i cila shënon momentin kulmor të përmbylljes së muajit të shenjtë të Ramazanit. Ashtu si çdo vit edhe këtë herë në Kosovë besimtarët mysliman u mblodhën për të falur namazin, në mëngjes herët, shkruan Ballkani.info.
Përmes kësaj feste ata shfaqnin paqen dhe begatinë e kësaj feste.
Lidhur me dobitë dhe begatitë e kësaj feste, në intervistën e dhënë për Ballkani.info, teologu Fitim Flugaj ka deklaruar se festa e Fitër Bajramit është një ditë e bardhë e dashurisë njerëzore.
“E lusim Allahun fuqiplotë që t’i ketë pranuar veprat e mira, ibadetet e adhurimet që i kemi bërë qoftë agjërimi, namazi, leximi i Kur’an-it, vizitat e ndërsjella, e të gjitha këto zotin inshallah i ka pranuar. Festa e Fitër Bajramit paraqet triumfin e arritjes së një fitore të jashtëzakonshme që ka arritur besimtari e besimtarja në edukimin e egos dhe luftën ndaj egos së tij. Është një ditë paqe që njeriu e arriti këta paqe ta krijoj për një muaj të plotë me vetën, njerëzit dhe me Zotin. Është një ditë e bardhë e dashurisë njerëzore, një ditë e krenarisë por mbi të gjitha është një ditë e solidaritetit ku besimtarët nëpërmjet një obligimi fetar që kishin deri para namazit të Bajramit”, ka deklaruar teologu Flugaj.
I pyetur për ata persona të cilët kanë agjëruar por që nuk janë falur, por edhe të atillë që asnjërin nga këto rituale fetare nuk e kanë kryer, teologu Flugaj është shprehur se këtë punë i kemi lënë zotit dhe se këto janë arsye të brendshme të personit.
“Këto punë ia lëmë zotit, sepse nuk kemi mundësi të dimë në brendësinë e njerëzve, janë çështje të brendshme të personit, i cili ka ndoshta arsyet e tij, ai është një raport vertikal, mes njeriut dhe zotit, ku ne nuk kemi të drejtën të hyjmë në këtë çështje por e lusim zotin fuqiplotë që atyre që nuk i ka mundësuar të agjërojnë të kenë mundësi të agjërojnë në Ramazanet e tjerë”, është shprehur teologu Flugaj.
Lidhur me mos agjërimin e Muajit të Shenjtë të ramazanit, teologu i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka tregua edhe një shembull të një punonjësi të arsimit.
“Një mësues në periudhën e komunizmit kishte dëmtuar agjërimin e shumë nxënësve të tij, pasi përfundon sistemi monist ai dëshiron të agjëroj por sëmundja, që zoti ia kishte dërguar, nuk e lë dhe qante ditë e natë e thoshte: “Ja pra zoti më dënoj”, dhe nuk kam mundësi të agjëroj”.
Se shpërblimet janë të mirëpritura nga njerëzit prej Zotit, e thekson edhe Flugaj, duke thënë se shpërblimet në festën e Fitër Bajramit janë të pakufishme ku engjëjt kalojnë nëpër rrugët e shtëpitë tona.
“Shpërblimit për këtë festë janë të pakufizuara në bazë të Pejgamberit a.s, ne arrijmë të kuptojmë se shpërblimet e Ditës së Bajramit, janë të pakufishme, ku engjëjt kalojnë nëpër rrugët dhe shtëpitë e besimtarëve duke i shpërndarë shpërblimet e Zotit”.
Ai ka shtuar se në duhet të lutemi që Zoti të sjell paqe, dashuri ndërmjet njerëzve dhe larg çdo lufte e çdo konflikti.
“Në duhet të lutemi që Zoti të sjell paqe, dashuri ndërmjet njerëzve dhe larg çdo lufte e çdo konflikti, çoftë edhe konfliktin brenda për brenda njeriut, e pastaj konfliktin në mes njerëzve, në mes popujve e shoqërive të ndryshme, ky është urimi Bajramit, mbështetet kryesisht në lutje”, ka deklaruar duke i thënë njëri-tjetrit ‘Zoti i pas pranuar adhurimet e veprat e mira, e qoftë për hair shpërblimi i Zotit dhe Urime Bajrami”, kjo do të ishte më e mira që na preferon i dërguari i Alahut”, ka deklaruar Flugaj.
Të rrethuar nga një atmosferë e ngrohtë besimi e vëllazërie, shqiptarët i ka gjetur të bashkuar Muaji i Shenjët i Ramazanit, kështu është shprehur teologu Fitim Flugaj.
“Gjatë muajit të Ramazanit kemi vërejtur edhe një disiplinë, normal që Ramazani disiplinon njeriun por në anën tjetër krijon një atmosferë shumë të afërt familjar dhe një afërsi shumë të madhe në mes shoqërisë dhe individëve çoftë edhe ata të cilët nuk i përkasin besimit islam i kemi vërejtur se kanë qenë s’bashku me vëllezërit e tyre në sofrat e iftarit. Iftari, namazi i teravive na ka afruar e ka apeluar tek ne që bashkimi të jetë epiqendra me të cilën mund të krijojmë një fuqi edhe si komb dhe Fitër Bajrami ka mesazhin më të qartë që ne shqiptarët të jemi sa më të bashkuar, ta duam njëri-tjetrin pa marrë parasysh diferencave fetare, por gjithmonë të jemi sa më të bashkuar”, është shprehur Flugaj./Ballkani.info.







