Protestat e të rinjve në Shqipëri kanë hyrë në ditën e pestë, duke u shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë. Ato nisën të martën para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, por më pas u përshkallëzuan, me protestuesit që hodhën gurë dhe sende të tjera drejt objekteve publike e private, disa prej të cilave u dëmtuan. Të rinjtë po kundërshtojnë rritjen e kostove të arsimit dhe korrupsionin, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar se nuk do të largohet nga detyra. Protesta janë mbajtur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Gjatë ditës së sotme, për herë të parë Policia përdori plumba gome. Dhjetëra persona, mes tyre protestues dhe policë, pësuan lëndime.

Berisha u bën thirrje qytetarëve për mosbindje civile: Rama të japë dorëheqje

Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve në rrethe që t’i bashkohen mosbindjes civile, në mbështetje të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë.

Në një deklaratë për media, Berisha i cilësoi protestuesit e rinj si “heronj të vërtetë”, duke thënë se mosbindja civile është ndihma më e madhe që qytetarët mund t’u japin atyre.

“Mosbindja civile është ndihma më e çmuar për studentët luftëtarë, për studentët dhe gjimnazistët, heronj të vërtetë”, deklaroi Berisha.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të udhëtojnë drejt Tiranës të dielën, duke e cilësuar kryeqytetin si vendin ku, sipas tij, do të vendoset fitorja e protestuesve.

“Qytetarët që mund të vijnë në Tiranë nesër, të vërshojnë drejt kryeqytetit. Këtu është sheshi ku fitorja do të firmoset nga qytetarët shqiptarë”, tha ai.

Kreu i PD-së gjithashtu i kërkoi kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqje, duke e cilësuar këtë si rrugën për zgjidhjen e krizës politike në vend.

“Njofto një minutë e më parë dorëheqjen. Jep dorëheqjen, hapi rrugën zgjidhjes së denjë për një vend anëtar në Bashkimin Evropian”, u shpreh Berisha.