Pfizer/BioNTech

Dita e fitores! Europa nis vaksinimin masiv kundër koronavirusit

Programi i imunizimit masiv kundër koronavirusit është në zhvillim e sipër në të gjithë Evropën, pasi shumica e vendeve të BE-së nisën vaksinimin e grupeve më të cenueshme.

Data 27 dhjetor është duke u cilësuar si Dita V, ose Dita e Fitores, në të gjithë Evropën.

Në Republikën Çeke, kryeministri Andrej Babis ishte i pari që mori vaksinën Pfizer/BioNTech në një spital ushtarak në Pragë.

“Vaksina, e cila mbërriti nga Bashkimi Evropian dje, është një shpresë, një shpresë se do të kthehemi në jetën normale”, tha Babis në televizionin kombëtar, përpara se të injektohej.

Presidentja e Sllovakisë, Zuzana Caputova, dhe ministri i Shëndetësisë i Bullgarisë, Kostadin Angelov, ishin po ashtu në mesin e politikanëve të parë që u vaksinuan, në përpjekje për të rritur besimin në sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës.

Në Itali, vendin e goditur më së rëndi nga pandemia e koronavirusit në Evropë, punonjësit shëndetësorë filluan t’i marrin vaksinat.

“Kjo datë do të jetojë përgjithmonë me ne”, shkroi kryeministri italian, Giuseppe Conte, në Tëitter.

Politikanët dhe ekspertët paralajmërojnë se do të duhen disa muaj përpara se vaksina të jetë e disponueshme për secilin që e do.

Ata përsërisin se ndërkohë, është e nevojshme të zbatohen masat mbrojtëse, të tilla si veshja e maskave, larja e duarve dhe distanca fizike.

 “Kemi ende muaj të vështirë përpara”, u tha gazetarëve ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

“Kjo është një ditë e bukur, por ende duhet të tregojmë kujdes. Kjo vaksinë është rruga e vërtetë për ta mbyllur këtë sezon të vështirë”, tha Speranza.

“Ditët e vaksinimit në BE janë një moment prekës i unitetit. Vaksinimi është rruga e qëndrueshme për të dalë nga pandemia”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se vaksina është kyçe për mposhtjen e pandemisë dhe rikthimin në normalitet.

Punonjësit shëndetësorë në Gjermaninë verilindore vendosën të mos prisnin të dielën dhe filluan të shtunën imunizimin e banorëve të një shtëpie pleqsh në Halbershtat.

Në Hungari, marrësi i parë i vaksinës ishte një mjek në Spitalin Qendror Del-Pest, të shtunën, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve.

Komisioni Evropian thotë se ka bërë kontrata me disa prodhues për më shumë se 2 miliardë doza të vaksinave.

Rregullatori i shëndetit të bllokut pritet ta miratojë edhe vaksinën e bërë nga kompania amerikane Moderna deri më 6 janar.

Vendet e BE-së kanë regjistruar së paku 16 milionë infeksione me koronavirus dhe më shumë se 336,000 vdekje, prejse ka nisur pandemia në pranverë.