Këtë të hënë shënohen 26 ditë që prej fillimit të luftës në Ukrainë nga Rusia
Korrespondenti i BBC-së në kryeqytetin ukrainas, James Waterhouse, njofton se në Kiev është vendosur shtetrrethimi.
Pritet që shtetrrethimi të qëndrojë deri mëngjesin e së mërkurës.
Sakaq autoritetet raportojnë se kushdo që shihet në rrugë pa një leje të posaçme gjatë kohës së shtetrrethimit do të konsiderohet armik.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me liderët evropianë, me të cilët ka folur për luftën në Ukrainë, tha Shtëpia e Bardhë.
Në këtë bisedë kanë marrë pjesë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe ai italian, Mario Draghi.
Shtëpia e Bardhë tha se liderët kanë “biseduar për shqetësimet serioze lidhur me taktikat brutale të Rusisë në Ukrainë, përfshirë edhe sulmet ndaj civilëve”.
“Ata theksuan mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, përfshirë edhe ofrimin e mbështetjes së sigurisë për ukrainasit trima që po e mbrojnë shtetin e tyre nga agresioni rus, dhe për mbështetjen humanitare për miliona ukrainas që janë larguar nga dhuna”, u tha në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti amerikan, Joe Biden, është paraparë që të udhëtojë për në Evropë më vonë gjatë kësaj jave, për të marrë pjesë në takimet me NATO-n, Bashkimin Evropian, aleatët e G7-ës në Bruksel. Po ashtu ai pritet të ketë takime dypalëshe me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda në Varshavë të premten më 25 mars.
Pentagoni i akuzoi forcat ruse për kryerje të krimeve të luftës në Ukrainë dhe tha se do të ndihmojë në mbledhjen e dëshmive për kryerjen e krimeve të tilla.
Më 21 mars, Pentagoni po ashtu e akuzoi Kremlinin se po kryen sulme pa dallim, si pjesë e strategjie të qëllimshme në konflikt.
“Ne sigurisht po shohim prova të qarta se forcat ruse po kryejnë krime lufte dhe ne po ndihmojmë në mbledhjen e provave për këtë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby gjatë një konference për media.
“Por, ka procese hetimore që do të vazhdojnë dhe ne do të lejojmë që këto procese të ndodhin. Ne do të kontribuojmë në këto procese hetuese. Se çfarë do të dalë nga to, ky vendim nuk i përket udhëheqjes së Pentagonit që ta marrë”, tha ai.
Presidenti ukrainas, Voldymyr Zelensky është shprehur për mediat se Ukraina nuk do t’i përkulet kurrë ultimatumeve nga Rusia dhe qytete të tilla si Kievi, Mariupoli apo Kharkiv nuk do të pranojnë pushtimin rus.
“Ukraina nuk do t’i përmbushë ultimatumet e Rusisë”, ka thënë Zelensky në një intervistë të dhënë së fundmi për kompaninë e transmetimit publik ukrainas Suspilne.
Rusia i kishte caktuar Ukrainës një afat të fundit mëngjesin e sotëm për t’i dorëzuar qytetin port të rrethuar të Mariupolit, duke thënë se civilëve dhe luftëtarëve do t’u jepet një kalim i sigurt nga qyteti për sa kohë që ata të dorëzojnë armët.
Por Ukraina e injoroi atë ultimatum, duke thënë se dorëzimi nuk ishte një opsion.
Qendra përkujtimore Buchenwald në Gjermani ka deklaruar se një 96-vjeçar që i ka mbijetuar kampit të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte vrarë si pasojë e sulmeve ruse. Sipas të afërmëve të tij, ai ndodhej në shtëpinë e tij në qytetin e Kharkiv kur bombardimet i morën jetën.
I ndjeri, Boris Romantschenko, ka bërë fushatë aktive për kujtimin e krimeve të nazizmit dhe ishte nënkryetar i Komitetit Ndërkombëtar Buchenwald-Dora, sipas qendrës përkujtimore.
Një gjykatë në Moskë ka vendosur që të shpallë organizata ekstremiste rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.
“Ne jemi duke plotësuar kërkesën e prokurorisë për të ndaluar aktivitetitet e Instagram dheFacebook”, tha gjyqtarja Olga Solopova, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm Rus tha se në këto rrjete sociale ishin publikuar materiale ekstremiste, duke përmenduar këtu thirrjet e supozuara për dhunë ndaj qytetarëve rusë, duke përfshirë dhe personelin ushtarak të vendosur në Ukrainë.
Në fillim të këtij muaji, prokurorët kërkuan një hetim penal ndaj kompanisë “Meta”, duke cituar ligjet ruse të propagandës dhe ekstremizmit. Përdorimi i Facebook dhe Instagram ishte dhe më herët i kufizuar në vend për arsye se Moska i kishte përshkruar materialet e publikuara në rrjetet sociale si “lajme të rreme” për pushtimin e saj në Ukrainë.
“Meta” kishte thënë se do t’i lejonte përdoruesit në disa vende të bënin thirrje për dhunë kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe ushtarëve rusë, duke lejuar përkohësisht postime të tilla si “vdekje pushtuesve rusë” që zakonisht shkelin rregullat e tij.
Gjykatësi tha se vendimi i gjykatës nuk zbatohet për shërbimin e mesazheve WhatsApp, i cili është gjithashtu në pronësi të Metës.
Marrëdhëniet Rusi-SHBA në prag kolapsi pasi Biden e qujti Putinin “kriminel lufte”
Ambasadori amerikan është thirrur ditën e sotme nga Ministria e Jashtme e Rusisë për t’i thënë se lidhjet mes SHBA-së dhe Rusisë janë në prag të ndërprerjes për shkak të komentit të presidentit amerikan Joe Biden për Vladimir Putinin.
Javën e kaluar, Biden e quajti homologun e tij rus një “kriminel lufte”.
Për këtë shkak, amabasadori tha se komenti i tij ishte “i papranueshëm e i padenjë për një burrë shteti kaq të lartë, duke shtuar se kjo është bërë shkak që marrëdhëniet të jenë në prag kolapsi”.
Kremlini nuk e kishte pritur aspak mirë këtë koment, duke e përshkruar si një “retorikë të papranueshme dhe të pafalshme”.
Ukraina dhe Rusia nisën sot raundin tjetër të bisedimeve për paqe, ndërkohë që lufta mes dy vendeve hyri në ditën e 26-të. Negociatorët mbajtën një video-telefonatë 90 minutëshe. Grupet e punës pritet të vazhdojnë të takohen gjatë gjithë ditës.
“Sot po punojmë gjithë ditën”, citohet të ketë thënë një prej negociatorëve ukrainas.
Dy vendet kanë mbajtur disa raunde bisedimesh deri më tani. Takimet e para u zhvilluan në Bjellorusi, ndërsa ditët e fundit ato po mbahen me video-konferencë. Megjithatë, palët nuk kanë arritur ende një marrëveshje për një armëpushim ose një tërheqje të trupave ruse.
Më herët, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shprehu bindjen se Ukraina nuk do të pranojë asnjë kusht paqeje që komprometon integritetin e saj territorial.
Teksa ka pasur disa raportime në dukje pozitive nga negociatat gjatë dy javëve të fundit, disa liderë perëndimorë sugjerojnë se Rusia nuk po angazhohet seriozisht në bisedime dhe thjesht po i përdor ato për të vazhduar bombardimin brutal të vendit.
Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës, thotë se që prej nisjes së pushtimit Rusia ka humbur 15 mijë trupa. Po sipas këtij institucioni, forcat e armatosura ruse raportohet se kanë humbur po ashtu 1,535 automjete të blinduara.
Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe raportoi se forcat ruse që përparonin në Kiev nga verilindja janë bllokuar në vend dhe shumica e tyre mbeten më shumë se 25 kilometra nga qendra e qytetit.
Sky News shkruan se shifrat e dhëna nga zyrtarët ukrainas nuk mund të verifikohen dhe ekspertët theksojnë se është në interes të vendeve në luftë të japin vlerësime më të larta të viktimave të armikut.
Megjithatë, javën e shkuar të dhënat e SHBA sugjeronin se më shumë se 7,000 trupa ruse ishin vrarë në më pak se tre javë luftime.
U bë virale për këngën në bunker, 7-vjeçarja ukrainase shpëton dhe këndon në koncert
Një vajzë 7-vjeçare e cila është regjistruar teksa këndonte këngën Frozen në një bunker në Ukrainë ka performuar live në një skenë koncerti në Poloni.
Amelia Anisovych kaloi 6 ditë në një strehë ndaj bombave në Kiev, para se të arratisej me familjen e saj gjatë këtij muaji.
Të dielën në mbrëmje ajo këndoi himnin e Ukrainës. Koncerti, i titulluar “Së bashku me Ukrainën”, kishte disa nga emrat më të njohur të muzikës në Ukrainë dhe Poloni.
Videoja e Amelias u bë virale në rrjetet sociale. Madje ajo u shpërnda edhe nga Idina Menzel, e cila luan rolin e Elsës në film.
Autoritetet në Odesa akuzojnë forcat ruse se kanë ndërmarrë një sulm ajror në një bllok banesash në rrethinat e qytetit Ukrainas në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ky është sulmi i parë i këtij lloji në qytetin port të Detit të Zi.
Këshilli i qytet tha se nuk raportohet për viktima, pavarësisht se sulmi shkaktoi zjarr.
“Këto janë ndërtesa banimi ku jetojnë njerëz të pafajshëm”, tha kryebashkiaku Gennadiy Trukhanov.
Odesa është artikuluar shpesh si një objektiv kyç për forcat e Vladimir Putin, pasi është qyteti kryesor sa i takon tregtisë detare në Ukrainë.
Ky vend nuk ka porte të tjera të mëdha ku mund të varet dhe marrja e Odesës do të bënte që Rusia të dominonte të gjithë bregun verior të Detit të Zi.
Marrja e Odesës mund të ketë pasoja negative edhe për vendet fqinje. Kontrolli i qytetit mund t’u mundësojë forcave ruse të hapin një korridor tokësor në rajonin e shkëputur të Transnistria, i cili ka kërkuar pavarësinë nga Moldavia që nga vitet 1990.
Në këtë rajon aktualisht ndodhen 1500 trupa paqeruajtëse ruse.
Kievi do të jetë në shtetrrethim sërish. Autoritetet kanë vendosur që të hyjë në fuqi nga ora 20:00 deri në orën 07:00 të mëngjesit të së mërkurës.
Ka qenë, kryebashkiaku Vitali Klitschko ai që e ka dhënë njoftimin në rrjetin Telegram.
“I kërkoj të gjithëve që të qëndroni në shtëpi ose në strehë kur të dëgjoni alamet”, tha ai.
Ministrat e Jashtëm të BE diskutojnë për embargo të naftës ruse
BE po planifikon ashpërsimin e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë për sulmin e saj ushtarak në Ukrainë, duke vendosur një embargo ndaj naftës ruse.
“Ministrat do ta diskutojnë për këtë”, u tha kryediplomati europian, Josep Borrell gazetarëve përpara takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.
Diplomatët thanë për Reuters se vendet baltike, përfshirë Lituaninë, po bëjnë presion për një embargo, ndërsa Gjermania po paralajmëron kundër vendimeve kaq të shpejta për shkak të çmimeve tashmë të larta të energjisë në Evropë.
“Ne nuk mund të lodhemi duke vendosur sanksione dhe po ashtu edhe për të ofruar ndihmë për Ukrainën,” tha Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis.
Lituania, ka qenë ndër vendet më të ashpra dhe më të zëshme kur bëhet fjalë për sanksionet kundër Rusisë. Kremlini ka thënë se një embargo ndaj naftës ruse do të godiste rëndë Evropën.
Një jetë më parë Margarita Morozova jetoi rrethimin e Leningradit të Luftës së Dytë Botërore. Tani 87-vjeçarja ukrainase e gjen veten edhe një herë në një qytet të sulmuar. Bibliotekarja në pension jeton në Kharkiv, një qytet ukrainas me 1.5 milionë banorë që shtrihet 25 km nga kufiri rus.
“Është një fatkeqësi edhe për popullin rus. Fëmijët e tyre po vdesin për asgjë. Unë po pyes tani “Për çfarë po ndodh kjo luftë?” Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte e qartë se ne luftuam fashistë, komb të ndryshëm. Po tani për çfarë po luftohet. Ne ndajmë me ata pothuaj një kulturë të përbashkët, gjuhët po ashtu janë të përafërta. Si ishte e mundur të ndodhte diçka e tillë? Është e tmerrshme”.
Morozova ishte vetëm shtatë vjeç në vitin 1941 kur forcat gjermane filluan të rrethonin e qytetin sovjetik të Leningradit në Rusi, i njohur tani si Shën Petersburg, ku rreth 1.5 milion humbën jetën. 87-vjeçarja është shprehur se ende kujtime nga bombardimet naziste. Pas luftës, ajo u transferua në Kharkiv në Ukrainë, ku ka jetuar për 60 vitet e fundit dhe ku tani po i përsëritet historia.
“Nuk mund ta imagjinoja kurrë që një luftë e re do të fillonte tani në pleqëri. As që mund ta imagjinoja që një masakër e tillë do të përsëritej. Në fëmijërinë time u fsheha nga bombardimet në korridor. Ne u strehuam në ndërtesa të vjetra. Dhe kështu është tani. Është e tmerrshme kur vdesin të rinjtë dhe kur shemben ndërtesa të bukura”.
Kharkiv, një qendër inxhinierike dhe transporti, nuk është hera e parë që pushtohet nga forcat ruse. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo u pushtua nga forcat gjermane dhe nga Rusia.
“Dance for Ukraine” në Londër, mblidhen rreth 185 mijë $
Interpretues kryesorë nga e gjithë bota, duke përfshirë Rusinë dhe Ukrainën, morën pjesë në galanë bamirëse Dance for Ukraine në teatrin Coliseum në Londër.Organizatorët thanë se biletat u shitën në më pak se 48 orë dhe nga evenimenti u mblodhën të paktën 185 mijë dollarë për Ukrainën.
Ngjarja ishte ideja e ish-yjeve të Baletit Mbretëror, Ivan Putrov nga Ukraina dhe rumunes Alina Cojocaru.
“Ne kemi kërcimtarë nga Brazili, Britania e Madhe, Franca, Ukraina dhe nga Rusia. Mendoj se është e rëndësishme të theksohet se “vallëzimi, muzika dhe arti lëvizin botën, jo dhuna”, i tha Putrov Reuters.
Dyshja, të cilët e kanë njohur njëri-tjetrin që kur ishin fëmijë që mësuan të kërcejnë në Kiev, organizuan ngjarjen në vetëm dy javë. Putrov tha se anëtarët e ngushtë të familjes, përfshirë babain e tij, janë ende në Ukrainë.
Ngjarja mblodhi së bashku kultura të ndryshme interpretuesish, të cilët dhuruan shërbimet e tyre. Midis tyre ishin drejtori kryesor i Baletit Kombëtar anglez Francesco Gabriele Frola dhe balerinët ukrainas Katja Khaniukova dhe Marianna Tsembenhoi. Spektatorët u mbuluan me flamurin ukrainas për ngjarjen dhe skena u ndez në nuancat e verdhë dhe blu.
Evakuohet nga Ukraina diplomati i fundit i BE
Është evakuuar nga Ukraina diplomati i fundit i BE. Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Mariupol, Manolis Androulakis, i cili mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Athinës përqafoi menjëherë familjarët e tij të cilët po e prisnin me ankth ardhjen e tij.
Ai u largua nga Mariupoli të martën dhe pas një udhëtimi katër-ditor përmes Ukrainës kaloi në Rumani e më pas në Moldavi, së bashku me 10 shtetas të tjerë grekë. Androulakis ka ndihmuar dhjetëra grekë të evakuohen nga qyteti i Mariopulit që nga sulmi ushtarak i Ukrainës nga Rusia. “Atë që pashë unë, shpresoj mos ta shohë askush”, u thotë 41-vjecari gazetarëve .
Androulakis tregon se në 24 orë infrastruktura e qytetit u shkatërrua, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe ujin .
“Ne duhet të ngremë zërin tonë, për një armëpushim, sepse në këtë moment civilët po goditen në mënyrë të pakontrolluar”.
Për diplomatin grek, heronjtë e vërtetë janë ende atje të cilët do të duhet të ndërtojnë jetën e tyre nga hiçi.
Sakaq, sipas të dhënave nga ministria e Jashtme greke të paktën 10 grekë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur ndërsa më shumë se 150 shtetas grekë janë evakuuar.
Sllovenia po planifikon të dërgojë diplomatë në kryeqytetin ukrainas këtë javë. Lajmin e bëri të ditur kryeministri i vendit, Janez Jansa.
“Ne po punojmë që BE-ja të bëjë të njëjtën gjë. Ukraina ka nevojë për mbështetje diplomatike”, shkroi Jansa në një postim në Twitter, ndërsa shtoi se diplomatët do të kthehen në Kiev mbi baza vullnetare. “Ukraina ka nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë diplomatike”, shtoi Jansa.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria sllovene merr vendime të tilla pasi kryeministri Janez Jansa së bashku me homologët e tij Petr Fiala dhe Mateusz Morawiecki zhvilluan bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Ukrainë.
Kujtojmë se diplomati i fundit nga BE u evakuua nga Ukraina. Konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Mariupol, Manolis Androulakis, i cili mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Athinës tha për gazetarët se atë çfarë kishte parë ai shpresonte të mos e përjetonte askush.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden pritet të udhëtojë këtë javë drejt Polonisë për të diskutuar rreth krizës të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të udhëtojë në Varshavë ku do të zhvillojë një takim dypalësh me Presidentin Andrzej Duda. Mbi 2 milionë refugjatë kanë hyrë në Poloni nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt. Lufta ka shkaktuar një krizë humanitare si dhe ka thyer të drejtat e njeriut.
Udhëtimi i Biden në Poloni do të vijë një ditë pasi ai të takohet në Bruksel me aleatët e NATO-s, liderët e G7-ës dhe liderët e Bashkimit Evropian për të diskutuar përpjekjet ndërkombëtare për të mbështetur Ukrainën pas pushtimit të Rusisë.
Të dhënat e Kombeve të Bashkuara tregojnë se më shumë se 3.2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina muajin e kaluar në atë që është bërë kriza e refugjatëve më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Presidenti amerikan gjithashtu do t’i bashkohet një samiti të planifikuar të Këshillit Evropian për të diskutuar për Ukrainën për të ofruar mbështetje humanitare për ata që janë prekur nga dhuna dhe për të adresuar sfida të tjera që lidhen me konfliktin.
Në ditën e 26 të pushtimit të Ukrainës, Kremlini ka bërë një sërë deklaratash në një konferencë për shtyp. Kështu, sipas Rusisë, vendet që kanë ndikim mbi Kievin duhet ta përdorin atë për ta bërë Ukrainën “më konstruktive” në bisedimet e paqes.
Bisedimet me Ukrainën nuk po avancojnë ashtu siç dëshiron Rusia dhe kjo e fundit thotë se po shton përpjekjet për të punuar më shpejt në negociata.
Por, sipas Kremlinit, nuk ka “asnjë bazë” për një takim të mundshëm midis presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Pretendimet se Rusia nuk po i lejon civilët ukrainas të evakuohen janë “gënjeshtra”, thotë Kremlini.
“Në vend të kësaj, nacionalistët në Ukrainë po i ndalojnë civilët të ikin përmes korridoreve humanitare dhe duhet të bëhet presion mbi Kiev për ta zgjidhur këtë çështje”, thotë Kremlini, ndërsa shton se “një embargo e naftës do të godiste balancën energjetike në Europë, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk do të humbisnin asgjë”.
Çifti i aktorëve mbledh 35 mln $ për luftën, Zelensky flet me ta nga Kievi
Çifti Mila Kunis dhe Ashton Kutcher kanë zhvilluar një bisedë me Presidentin Volodymyr Zelensky. Ky i fundit ka ndarë detaje nga biseda me aktorët e Hollywood-it.
Mësohet se çifti ka mbledhur rreth 35 milionë dollarë në faqen GoFundMe për të mbështetur refugjatët ukrainas. Zelensky shprehet mirënjohës për mbështetjen e tyre dhe thotë se janë shumë frymëzues.
Kunis është me origjinë ukrainase. Ajo ka lindur në Chernivtsi në vitin 1983, por familja e saj është zhvendosur në Shtetet e Bashkuar në vitin 1991.
Çifti po ashtu ka thënë se do të dhurojnë 3 milionë Dollarë nga pasuria e tyre për luftën në Ukrainë.
Detaje të tjera përcjellin mediat ndërkombëtare për rrjedhjen e amoniakut në një fabrikë kimike pranë qytetit të Sumy, e cila raportohet të jetë vënë nën kontroll nga autoritete ukrainase.
Zyrtarët thonë se një rezervë 50 tonëshe e gazit helmues u dëmtua kur objekti i Sumykhimprom u godit nga bombardimet ruse dhe kjo bëri që të krijojohej një re amoniaku.
Reja preku një zonë prej rreth 2.5 km, tha guvernatori i rajonit, Dmytro Zhyvytskyy. Ai tha se një punëtor kishte mbetur i plagosur. Banorët e qytetit të Novoselytsya, që ndodhet pranë, u këshilluan të strehoheshin.
Amoniaku përdoret kryesisht për fertizilim dhe ka veti gërryese. Ai mund të shkaktojë dhimbje dhe djegie në rrugët e frymëmarrjes dhe lëndime në sy.
Të paktën 8 të vrarë nga bombardimet në Kiev
Të paktën 8 është numri i të vrarëve nga bombardimet e forcave ruse në Podil të Kievit, tha prokurori i përgjithshëm i Ukrainës.
Shifra vijnë pas një sulmi të ndodhur në një qendër tregtare në kryeqytet.
“Sipas informacionit që kemi për momentin u goditën disa shtëpi dhe një nga qendrat tregtare”, tha kryetari i bashkisë Vitali Klitschko në Telegram.
Rusia: Goditëm një bazë ushtarake në rajonin e Rivne
Forcat ajrore ruse goditën me raketë një objekt ushtarak të ushtrisë ukrainase në rajonin Rivne në perëndim të vendit, tha Ministria e Mbrojtjes ruse.
“Raketat e komanduara me precizion të lartë të lëshuara nga ajri kanë goditur një qendër trajnimi për mercenarët e huaj dhe formacionet nacionaliste ukrainase“, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov.
Ka përfunduar ultimatumi që vendosi Rusia për forcat ukrainase për të dorëzuar qytetin e rrethuar të Mariupolit. Atje mendohet se janë bllokuar rreth 300 mijë persona.
Ushtria ruse i dha afat Ukrainës deri në orën 5:00 të mëngjesit me orën e Moskës për të shpallur dorëzimin. Ata premtuan se do të lejonin kalimin e sigurt të civilëve në korridoret humanitare.
Por Ukraina e refuzoi ultimatumin. “Nuk ka asnjë dyshim për të ulur armët”, tha zv/kryeministrja.
Një këshilltar tha se nuk mund t’i besohet premtimeve të Rusisë dhe se do të luftojnë deri në ushtarin e fundit. Ndërkohë është ende e paqartë se çfarë do të ndodhë.
Moska nuk e ka sqaruar se çfarë do të bëjnë trupat që kanë rrethuar qytetin.
Izraeli është duke bërë përpjekje për të ndërmjetësuar mes Ukrainës dhe Rusisë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Jeruzalemi mund të jetë vendi ku në të ardhmen mund të mbahen bisedime për paqen të nivelit të lartë.
“Kryeministri i Izraelit, Bennet, po mundohet të gjejë një mënyrë për të mbajtur bisedime. I jemi shumë mirënjohës për përpjekjet e tij në mënyrë që herët e vonë të nisim të kemi bisedime me Rusinë, mundësisht në Jeruzalem. Ky është vendi i duhur për të gjetur paqen nëse është e mundur”, tha ai.
Komentet e Zelensky-t u bënë pasi ai pati një fjalim në parlamentin e Izraelit të dielën.
Sulme të ashpra ndaj Kievit, viktima mes civilëve
Dita e 26-të e sulmit rus ndaj Ukrainës nisi sot me refuzimin e autoriteteve vendase për të dorëzuar qytetin e rrethuar të Mariupolit. “Në vend të letrave të kapitullimit, lejoni korridoret humanitare”, ishte përgjigjja e autoriteteve ukrainase.
Ky është një nga qytetet më të goditur dhe me më shumë viktima në radhët e civilëve. Një ditë më parë u bombardua një shkollë në këtë qytet ku sipas autoriteteve strehoheshin 400 persona, por nuk bëhet i ditur numri i viktimave.
Gjatë natës së kaluar bomba të tjera ranë mbi Kiev. Nga shpërthimet në një lagje pranë një qendre tregtare kanë humbur jetën 6 persona.







