Dita e 16-të e barrikadave në veri

Sot është dita e 16-të prej kur serbët kanë vendosur barrikada nëpër rrugë si shenjë revolte për arrestimin e ish policit serb, Dejan Pantiq. Të premten KFOR-i kërkoi zgjidhje përmes dialogut, ndërsa me komandantin e tij, Kurti tha se do të takohet pas Krishtlindjeve.

Serbët në Veri nuk po binden që t’i heqin kamionët e makineritë e rënda nga rrugët, përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve.

KFOR-i të premten kërkoi zgjidhje përmes dialogut, për çka u kritikua shumë, sepse pritej që ky mision t’i heqë barrikadat.

Kryeministri Kurti dje në një konferencë për media tha se nuk mund të tolerohet gjendja e krijuar në Veri, derisa bëri të ditur se me komandantin e KFOR-it do të takohet pas Krishtlindjeve.

“KFOR-i ka kërkuar pak kohë, ne i kemi dhënë pak kohë. Por sot janë bërë dy javë që janë vendosur 11 barrikada dhe ato janë duke penguar lirinë e lëvizjes. KFOR-i gjithmonë është zotuar për ambient të qetë e të sigurt për liri të lëvizjes. Liria e Lëvizjes ka qenë vlera kryesore që KFOR-I e ka afirmuar gjithë këto vjet të pasluftës. Andaj ne I kemi dhënë kohë KFOR-it… KFOR-I ka kërkuar kohë, dhe meqë sot është krishtlindja, pas krishtlindjes duhet ta kemi një takim me komandantin e  KFOR-it. S’mund të tolerohet kjo gjendje. Në atë takim që presim ta kemi pas Krishtlindjes me Komandantin e KFOR-it besoj do të sqarohet gjithçka dhe do t’iu japim përgjigje”, tha Kurti dje.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla të enjten tha se Policia e Kosovës është e gatshme t’i largojë barrikadat, mirëpo ende nuk është vendosur për diçka të tillë.