Projektligji

Diskutohet Projektligji për pagat, cilësohet si antikushtetues

Këshillit Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial i janë drejtuar Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit me kërkesën për nivelizimin e pagave ndërmjet tri pushteteve, atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi, tha se duhet të balancohen pagat sipas ligjit për të tri pushtetet, atë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.

“Me formë të shkruar i jemi drejtuar qeverisë dhe kemi shprehur shqetësimin tonë. Nuk ka trajtim të barabartë të tri pushteteve atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Nëse zbriten, le të zbriten të gjithë, mirëpo le të jenë të barabarta. Aktualisht neni 4 i Kushtetutës e parasheh një mundësi të tillë”, është shprehur Idrizi.

Me të njëjtën kërkesë komisionit iu drejtua Bahri Hyseni nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Me rastin e hartimit të Ligjit për paga konsiderojmë që është bërë shkelje kushtetuese pikërisht në nenin 4 ku parashihet ndarja e pushteteve. Është e vërtetë që është barazu Gjykata Kushtetuese, por në rastin konkret ligji e ka përjashtu pushtetin e tretë. Kjo bie ndesh me ligjet bazike që i kemi në fuqi. Qeveria e Kosovës ka nxjerrë një vendim përmes të cilit jemi prekë edhe ne si prokurorë dhe gjyqësorë, ku kemi qenë të përjashtuar nga të gjitha pagat. Ne po e kundërshtojmë për faktin se ne po barazohemi me një rrogë të një drejtori të departamenteve të komunave të Kosovës”, tha Hyseni.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, tha se komisioni do t’i adresojë këto çështje, derisa theksoi përkrahjen e saj për kërkesat e Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor, raporton EO.

“Ajo çka mund të bëjmë si komision në këtë fazë është që t’i adresojmë këto ankesa. Vërejtjet janë me vend. Unë kam kundërshtuar vendimin e qeverisë për rritje të pagave”, tha Haxhiu.

Shkumbin Demaliaj tha se do të mbështesin kërkesat e KPK-së dhe KGjK-së.

“Është mirë që ende nuk ka lëvizë ligji dhe është ende në lexim të parë. Nuk do të ketë ndoshta edhe ndonjë pjesë të ndërhyrjës në buxhet, por besoj që edhe ne si anëtarë të komisionit do t’i adresojmë këto çështje”, tha Demaliaj, raporton Eo.

Korab Sejdiu kërkoi nga këto dy institucione të drejtësisë bashkëpunim më të madh me komisionin.

“Çështja tjetër është se ne gjithmonë ju mbështetim juve, por kërkojmë edhe mbështetje nga ju. Një nga çështjet që jemi të ngarkuar është edhe çështja e zbatimit të ligjeve. Kemi kërkuar përgjigje për shtyrjen e seancave dhe nuk na jeni përgjigjur fare. Unë ju kisha lutë që përderisa ne jemi në mbështetje të juaj, kërkesat tona m’i trajtu me prioritet,” tha Sejdiu.

Nënkryetari i komisionit, Hajdar Beqa, tha se kërkesa është e drejtë dhe si e tillë do ta mbështetë.

“Komisioni jonë në moment që e kemi marrë këtë shkresë e kemi trajtuar shumë seriozisht. Kërkesat e juaja konsideroj që janë të drejta. Si PDK e mbështesim dhe nuk do të ketë ulje të pagave dhe kërkesa e juaj është e drejtë”, deklaroi Beqa.

Bilall Sherifi tha se e përkrah barazinë e pushteteve dhe është pro uljes së pagave, dhe jo rritjes së tyre.

“Pagat janë shumë të larta në raport me mundësitë që ka vendi dhe standardit të jetesës tonë”, tha ai.

Deputeti Sami Kurteshi tha se ligji në Kosovë ka për kriter të fortin dhe jo meritën.

“Ligji ka për kriter pozitën e të fortit dhe jo të meritës. Prandaj ky Ligj i Pagave duhet të rregullohet duke marrë parasysh kriterin e shkollimit, pozitës”, tha Kurteshi.

Sami Kurteshi dhe Shkumbin Demaliaj u zgjodhën nga komisioni të marrin pjesë në Komisionin për Administratë në kohën kur shqyrtohet projektligji për paga.