Diskutohet procesi i rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizon tryezën e diskutimit me temë “Rishikimi Funksional i Sistemit të Drejtësisë: Tranzicioni 2020”.

Kjo tryezë diskutimi ka për qëllim të diskutojë rrjedhën e procesit të rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë, pritshmërinë e tij, sfidat dhe të arriturat e deritanishme.

Në fillim të diskutimit, GLPS do të prezantojë një Shënim Politikash të titulluar: “Rishikimi Funksional i Sistemit të Drejtësisë: Tranzicioni 2020”, e cila trajton modelin e rishikimit funksional të sektorit të drejtësisë që Ministria e Drejtësisë, si bartëse e procesit, ka zgjedhur.

Duke marrë parasysh se shumë shtete kanë kaluar nëpër reforma të ngjashme të sistemit të drejtësisë, kjo analizë mëton të nxjerrë mësime nga praktikat e shteteve të cilat janë treguar të suksesshme në përmirësimin e mirëfilltë të këtij sektori.

A është e arsyeshme të pritet se modeli Kosovar, në formën e tanishme, do të sjellë ndryshimet e nevojshme? Pasi që të shqyrtohen të gjitha veprimet e ndërmarra deri më tani nga institucionet rreth rishikimit funksional me fokus të veçantë në të arritur dhe mangësitë e procesit si tërësi, do të ofrohen rekomandimet si të vazhdohet tutje.