Diskutohet për mundësitë e participimit në Fondin Kosovar – Amerikan të Edukimit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim drejtorin e parë të USAID-it në Kosovë, Dale Pfeiffer, me të cilin ka biseduar për mundësitë e participimit në Fondin Kosovar – Amerikan të Edukimit (KAEF), i themeluar në vitin 2004 dhe që tani udhëhiqet nga Këshilli Amerikan.

Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë e participimit në këtë Fond nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë që të mbështeten më shumë studentë me bursa për studime master në universitete të njohura amerikane.

Themeluesi i Fondit Dale Pfeiffer tha se këtë vit, KAEF shënon bursën e 100-të dhe deri më sot përfituesit e bursave nga ky program kanë pozita udhëheqëse në sektorin publik dhe privat në Kosovë.

Ndërsa, ministri Bytyqi theksoi se do të angazhohet maksimalisht që ky Fond të sigurojë jetëgjatësinë financiare, pasi do të jetë në interes të të rinjve, ndërsa kërkoi nga përfaqësuesit e KAEF të shikohen mundësitë që të sjellin profesorë nga universitetet amerikane në Kosovë, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë të rinjtë.