Diskutimi i zyrtarit policor me Dardan Molliqajn pak para arrestimit

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe anëtarë të tjerë të kësaj partie u arrestuan nga Policia e Kosovës, pasi për disa orë refuzuan që të dalin nga objekti i Zyrës së Rregullatorit për Energji, ku po e kërkonin vendimin për shtrenjtimin e rrymës.

Një zyrar policor foli me Molliqajn para arrestimit. Kryetari i PSD-së tha se ata po përdoren nga ministri i Brendshëm, Xhalal Sveçla dhe nga KEDS-i.

“Është përdorim i qartë i Policisë së Kosovës dhe është gabim çfarë po bëni. Herë prej Xhelalit e herë prej ZRRE-së, e më shumë prej KEDS-it. Jeni në shërbim tyre. Ju njëjtë shkoni edhe kur shkojmë me ua këputë rrymën qytetarëve”, tha Molliqaj.

Zyrtari policor tha se ata janë duke kryer vepër penale.

Molliqaj: Pse është vepër penale?

Zyrtari policor: Për arsye se po i pengoni pesonat zyrtarë në kryerje të detyrës. Duhet ta lironi..

Molliqaj: A mundesh me e këqyrë ti a ka konsumu bordi vepër penale?

Zyrtari policor: Është tjetërkush që merret me atë punë.

Pasi Molliqaj e vazhdoi edhe për një moment, zyrtari policor urdhëroi që ai dhe bashkëpartiakët tjerë të nxjerren nga objekti.