Diskutimet për Asociacionin vazhdojnë tek amerikanët

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier, do t’i vazhdojë diskutimet rreth Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Hovernier pritet që së shpejti t’i mbledh palët e interesit në rezidencën e tij.

Kështu u tha në një përgjigje për Klankosova.tv nga një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.

“Pas diskutimit produktiv më 31 janar me një gamë të gjerë aktorësh në Ambasadën e SHBA-së, Ambasadori do të mbledhë një mbledhje jozyrtare në rezidencën e tij për të lehtësuar bisedën e mëtejshme. Nuk ka asnjë program zyrtar apo temë diskutimi”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për Klankosova.tv

Më 31 janar në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, u mbajt një diskutim rreth formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ku morën pjesë përfaqësuesit e Qeverisë, liderët partiakë, shoqëria civile.

Rreth kësaj ambasadori Jeff Hovenier, ka deklaruar se SHBA nuk lejon që të cenohet Kushtetuta e vendit.

Njëjtë ishin deklaruar edhe Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, të cilët bënin thirrje për formimin e këtij Asociacioni.