Rryma

Disa zona mbesin pa rrymë për 30 orë pas reshjeve të borës

Si pasojë e reshjeve të borës disa zona në vend kanë mbetur pa energji elektrike ka 30 orë. Në KEDS pranuan se ende nuk kanë arritur t’i sanojnë të gjitha dëmet e shkaktuara nga bora. E, bora ka shkaktuar vështirësi edhe për këmbësorët në kryeqytet, pasi trotuaret nuk janë pastruar, e kjo ka paraqitur rrezik për ta. Në ministrin e Infrastrukturës kanë thënë se të gjitha rrugët janë të kalueshme.

Për t’iu shmangur ecjes në trotuare të cilat janë vështirë të qarkullueshme, këta qytetarë zgjidhje po e konsiderojnë rrugën për makina.

Ndonëse rrugët janë të kalueshme, qytetarët në kryeqytet shprehën pakënaqësi për mirëmbajtjen e hapësirave të këmbësorëve.

Sipas tyre, bora e ngrirë parqet rrezik për ecje, sidomos për moshat e shtyra.

“Sheshi qysh po duket kështu është veç me ardhë me helikopter prej pjesëve tjera periferike të Prishtinës. Unë banoj në Arbëri edhe unë e di qysh kam zbritë deri këtu ku kam ardhë në shesh. Tash ne me i llogaritë moshat ma të shtyne do të thotë jeta e tyre paraqet rrezik me dalë sot edhe me ec”, ka thënë Florim Beqiri, qytetar.

Disa prej tyre thonë se trotuaret nuk janë pastruar fare.

“Po çfarë të pastruari bre bac, a po i sheh çka është bërë”, ka thënë një qytetar.

“E pengon çdo kënd, qendër është kjo. Duhet me u pastru sigurisht po çka me bë”, ka deklaruar një tjetër qytetar.

Në Komunën e Prishtinës treguan se fokusi fillimisht ka qenë në mirëmbajtjen e rrugëve kryesore. Sipas tyre, ekipet janë në terren në vazhdimësi për të intervenuar në hapësirat ku ka nevojë.

“Tani fokusi është në zonat rurale dhe në hapësirat e këmbësorëve (trotuaret). Kemi pasur thirrje herët në mëngjes, por ekipet kanë intervenuar dhe janë duke intervenuar. Situata është nën kontroll, ndërsa thirrje kemi pasur nga zonat më të thella rurale. Të gjitha janë të mirëmbajtura, nëse ndonjë hapësirë nuk është e kalueshme atëherë lë të thërrasin në numrat kujdestar dhe menjëherë intervenohet, pasi që të gjitha ekipet janë në teren”, ka deklaruar Ilirik Musliu, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Mbrëmjen e së shtunës qytetarët janë ankuar se disa nga rrugët nacionale dhe rajonale janë vështirë të qarkullueshme.

Për këtë zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se aktualisht të gjitha rrugët që janë nën menaxhim të këtij dikasteri janë të kalueshme dhe se ekipet janë në terren të përgatitura maksimalisht për çfarëdo situate të mundshme.

“Te gjitha rrugët që menaxhohen nga MMPHI janë te kalueshme dhe në gjendje të mirë. Aktualisht kemi 19 kontrata aktive të mirëmbajtjes. Katër kontrata janë për mirëmbajtjen e autoudhëve dhe 15 kontrata janë për mirëmbajtjen e rrugëve regjionale dhe nacionale. Të gjitha kompanitë janë në teren dhe në çfarëdo situate të mundshme jemi të përgatitur maksimalisht”, ka thënë Durmishi.

Por rajonet i Pejës, ai Prizrenit e Mitrovicës shkaku i reshjeve të borës dhe erërave të forta kanë pësuar dëme në rrjetin e energjisë elektrike.

Në disa zona pati ankesa se për më shumë se 30 orë janë pa rrymë.

Në KEDS pranuan se ende nuk kanë arritur t’i sanojnë të gjitha dëmet e shkaktuara nga bora. Ata thanë se ekipet e tyre janë në terren e po punojnë për sanimin e dëmeve.

“Aktualisht, shumica dërmuese e dëmeve janë eliminuar, porse akoma kanë mbetur disa zona pa u rikyçur në rrjet, siç është Rugova dhe disa pjesë tjera të rajonit të Pejës, Prizrenit, Mitrovicës”, ka thënë Lulzim Krasniqi, zëdhënës në KEDS.