Disa studentë protestojnë nëpër komuna: Pse kafenetë të hapen e bibliotekat jo?

Me moton “Pse kafet po e bibliotekat jo”, Lëvizja studentore Studim, Kritikë, Veprim përmes një aksioni simbolik ka reaguar ndaj vendimeve të qeverisë rreth mbylljes së bibliotekave për shkak të pandemisë.

Berita Abazi, anëtare e kësaj organizate ka kritikuar qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit për mungesë planifikimi në raport me sistemin arsimor.

Derisa ka adresuar thirrje tek institucionet përkatëse për hapjen e bibliotekave, ajo shtoi se një gjë e tillë është shumë e nevojshme në këtë kohë kur dhe afatet e provimeve janë afruar.

“Jemi mbledhur para MASH për të zhvilluar një aktivitet që vë në dukje një paradoks dhe mos planifikim të madh të kësaj qeverie. Çfarë kuptimi ka që të lejohen kafenetë dhe të mos lejohen bibliotekat, të hapen vende ku për nga natyra shkohet më me shumë persona ndërsa në bibliotekë vetëm me librin? Ne kemi një kërkesë, që të hapen edhe bibliotekat. Tashmë po afron viti i ri akademik dhe ende si studentë jemi të hutuar nga mungesa e planifikimit që kjo qeveri dhe MASH e kanë në raport me sistemin jo vetëm të lartë arsimor”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, do të vazhdojnë me aksione të tilla simbolike.

Ky aktivitet është mbajtur në të gjitha komunat në të cilat ka universitete publike.