Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, tashmë matematikat për koalicioni parazgjedhore dhe paszgjedhore janë intensifikuar. Në këtë vorbull të madhe, sigurisht se prin Lëvizja Vetëvendosje dhe lutja e saj për koalicion parazgjedhor me LDK-në.
Një lutje të tillë sot e ka ripërseritur anëtari i ri i VV-së, ish analisti Haki Abazi.
“Koalcioni LVV- LDK është tregimi më thelbësor i fillimit të dekades së dytë të pavarësisë së shtetit tonë”, ka thënë Abazi.
Në anën tjetër, nesër Këshilli Drejtues i LDK-së do ta zgjedh Kryesinë e re e me këtë do të bëhet e ditur nëse kjo parti shkon me VV-në në zgjedhje apo e vetme, shkruan Ballkani.info.
Problemin më të madh për të lidhur koalicion parazgjedhor këto dy parti e kanë rreth postit të kryeministrit.
Postimi i plotë i Haki Abazit:
Deputetë të Lëvizjes dhe Lidhjes
Ju falemnderit për votën me të rëndësishme që keni dhënë. Shpërbërja e Kuvendit të Republikës së Kosovës sot, është paradoksalisht mbrojtja më e madhe që i është bërë shtetit, pavarësisë, Kushtetutës dhe integritetit territorial.
Sot ka vdekur përgjithmonë ideja për ndarjen e Kosovës, dhe është filluar etapa e ndryshimit më të madh dhe çlirimit të vërtetë të Kosovës.
Ky vërtetë është rasti për të avancuar shtetndërtimin dhe për të përmirësuar gabimet, e kjo nuk ndodh shpesh, ky është moment që kërkon përgjegjësi historike, për të hequr të keqën dhe mjegullën që ka vërbuar shikimin rreth e rrotull nesh.
Koalcioni LVV- LDK është tregimi më thelbësor i fillimit të dekades së dytë të pavarësisë së shtetit tonë. Kjo marrëveshje do të jetë treguesi i pjekurisë politike si liderë dhe si popull. Me këtë koalicion, gjërat nuk do të bëhen kopsht me lule menjëherë, por, kopshti i luleve do të jetë i sigurtë dhe shpresa e çdo qytetari që e do vetën, familjën, vendin dhe kombin tonë, do të rritet deri në pikën e vendimit për të sakrfikuar, solidarizuar e mishëruar me qeverisjën e koalicionit LVV-LDK. Kështu bëhemi bashkë, kështu jemi të fortë dhe kështu jemi të repsektuar nga të gjithë, vetja edhe nga bashkësia ndërkombëtare.







