Disa evropianë po zhvendosen në Spanjë për t’i shpëtuar çmimeve të larta të energjisë

Qyteti spanjoll i Benidorm në të ashtuquajturën ‘Costa Blanca’ ka qenë prej kohësh një destinacion popullor për njerëzit nga e gjithë Evropa.

Por, tashmë është bërë gjithashtu një vend ku njerëzit të kursejnë nga faturat e larta të energjisë falë klimës së ngrohtë, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

“Është më lirë të qëndrosh këtu sesa në Holandë”, tha turisti, John Buter.

“Aty është shumë më ftohtë. Duhet të ndezim ngrohjen. Dhe duhet të paguajmë kompaninë e energjisë për këtë. Duhet të jesh i çmendur për të qëndruar në Holandë. Ju mund të shijoni paratë që përndryshe do të shpenzonit për gaz dhe energji elektrike”, tha ai.

Sektori i turizmit po shikon mundësinë për të rritur numrin e të huajve që vijnë në rajon.

Mund të kushtojë rreth 50 € për një natë në një hotel gjatë sezonit jashtë verës dhe apartamentet gjithashtu po marrin më shumë rezervime.

“Shumica e qiramarrësve vijnë nga veriu i Evropës si Norvegjia, Suedia, Holanda, Gjermania,” tha Daniel Elman, një qiradhënës për MyFlats, i cili i ndihmon turistët të marrin me qira apartamente përkohësisht.

“Është e qartë pse. Të gjithë ata njerëz përndryshe do të humbnin shumë para për të ngrohur shtëpitë e tyre. Ne nuk e kemi atë nevojë në jug të Evropës”, ​​tha Elman.

BE-ja ka pranuar të ashtuquajturin “përjashtim iberik” të Spanjës, i cili i lejoi vendit të shkëputë çmimin e gazit nga energjia elektrike për një vit.

Opsioni mund të përgjysmojë faturat e energjisë për rreth 40% të njerëzve që jetojnë në Spanjë dhe Portugali.

Megjithatë, disa njerëz në qytet janë skeptikë se do të zgjasë mjaftueshëm.

“Unë nuk mendoj se kjo do të zgjasë më shumë se një vit. Por unë do të thoja, për momentin, ejani në Spanjë dhe shijoni këtë kohë” tha Maxim Lampole, një turist belg.