Diplomati sllovak tregon për rrezikun nëse vetëm Kosova apo Serbia do i bashkohej BE-së

Eduard Kukan për tre mandate radhazi ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, shtet ky që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ai është zgjedhur në Parlamentin Evropian gjatë vitit 2019 dhe kryeson delegacionin e PE-së për marrëdhëniet me Evropën Juglindore. Po ashtu, ai është anëtar i Komisionit të PE-së për Punë të Jashtme. Në një intervistë për Visergrad Insight, ai flet edhe rreth çështjes së Kosovës dhe punës që BE-ja ka bërë deri më tash.

Nga Visergrad Insight, Kukan është pyetur se a mbetet sfidë kryesore e BE-së mosnjohja e Kosovës nga disa shtete anëtare, përcjell Demokracia.com.

Sipas tij, Kosova po diskriminohet pasi nuk po i liberalizohen vizat, duke thënë se kjo duhet të jetë një politikë ndaj njerëzve e jo ndaj shtetit.

Kukan mes tjerash ka folur edhe për atë që fshihet pas vonesave të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Nga gazetari i Visergrad Insight, diplomati i njohur është pyetur për rrezikun që Kosova ose Serbia, njëra prej tyre të mbetet jashtë Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se “lojtarët e mëdhenj” të BE-së po i bëjnë presion Serbisë që t’i zgjidhë marrëdhëniet me Kosovën, në mënyrë që të ec përpara me anëtarësimin.

Demokracia.com sjell disa nga pyetjet dhe përgjigjet të kësaj interviste të Kukan, që kanë të bëjnë me Kosovën:

Duke parë dimensionin më të gjerë të punës së BE-së me Ballkanin, ndoshta sfida kryesore mbetet mosnjohja e Kosovës nga disa shtete anëtare. Nisur nga kjo, a mund të ketë BE-ja një politikë domethënëse ndaj rajonit?

Kukan: Kjo është padyshim pyetja më e vështirë. Megjithatë, besoj se mundemi. Për shembull, për momentin ka një përpjekje të përbashkët për të eliminuar diskriminimin e kosovarëve në udhëtimin pa viza në Shengen. Këtu, Parlamenti Evropian është sigurisht organi më aktiv që e shtyn Komisionin Evropian të ndërmarrë më shumë veprime dhe fuqitë tona për ta bërë këtë janë rritur pas miratimit të traktatit të Lisbonës. Udhëtimi pa viza, në fund të fundit, nuk është një politikë ndaj një “shteti”, por ndaj njerëzve. Pra, edhe në raport me Kosovën, besoj se mund të bëjmë progres pozitiv. Sigurisht, herët a vonë do të ngrihet çështja e statusit të Kosovës. Por, çështja më urgjente për momentin është më e gjerë: besueshmëria dhe synimet reale të BE-së për të ndjekur një perspektivë evropiane në Ballkan janë në pikëpyetje.

Çfarë fshihet pas gjithë vonesave? “Lodhja e zakonshme nga zgjerimi”?

Kukan: Sipas mendimit tim janë gjithmonë ngjarje konkrete që kanë të bëjnë me një nga lojtarët më të mëdhenj të BE-së që ngadalësojnë procesin. Për shembull, statusi kandidat i Serbisë u shty për shkak të përplasjeve të fundit në veri të Kosovës. Kancelarja Merkel tha se nuk mund t’u shpjegojë votuesve të saj se BE-ja do të bënte diçka pozitive për Serbinë kur ushtarët gjermanë sulmohen me gurë. Janë gjithmonë këto gjëra të vogla dhe çështje me vende individuale. Por, jo “lodhja nga zgjerimi”. Flitet shumë për lodhjen nga zgjerimi dhe ndonjëherë ekzagjerohet.

Më lejoni të kthehem në Serbi dhe Kosovë për një moment – a mund ta imagjinoni një situatë që vetëm njëri prej tyre të arrijë në BE, ndërsa tjetri të mbetet jashtë? A nuk do të përballeshim me një situatë të ngjashme me atë të Qipros?

Kukan: Më duket se lojtarët e mëdhenj në BE po bëjnë presion ndaj Serbisë për të zgjidhur marrëdhëniet me Kosovën përpara se të ec përpara me procesin e anëtarësimit. Për shembull, kohët e fundit disa deputetë gjermanë e kanë thënë shumë troç në Serbi: nëse nuk i njihni, nuk ka negociata. Megjithatë, për momentin nuk ka ndonjë qëndrim të zyrtarizuar të BE-së për njohjen – vetëm deklarata individuale. Por, është logjike të pritet që kjo do të duhet të zgjidhet përpara anëtarësimit./Demokracia.com/