Diplomati rus jep dorëheqjen nga OKB-ja: Kurrë s’jam ndier më i turpëruar

Këshilltari i Rusisë në OKB në Gjenevë ka dhënë dorëheqje për shkak të luftimeve “të përgjakshme dhe absolutisht të panevojshme” në Ukrainë duke u bërë diplomati i parë i lartë i Rusisë që ka dhënë dorëheqje për shkak të luftës.

Në letrën e dorëheqjes, Boris Bondarev tha se kishte parë “kthesa të ndryshme” të politikës së jashtme të vendit të tij gjatë karrierës 20-vjeçare “por kurrë nuk kam pasur aq turp për vendin tim sa më 24 shkurt kur Rusia nisi sulmin e saj.

Duke e quajtur “katastrofik” nivelin e “gënjeshtrave dhe joprofesionalizmit” në Ministrinë e Jashtme të Rusisë, ai tha se lufta e Vladimir Putinit ishte “jo vetëm krim kundër popullit ukrainas, por gjithashtu edhe krim ndaj popullit të Rusisë”.

Në mars, Anatoly Chubais u bë zyrtari më i shquar i Kremlinit që dha dorëheqjen për shkak të luftës. Chubais, i cili ishte i dërguari special i Putinit për marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm, jo vetëm që u largua nga posti i tij, por edhe Rusia.

Ai ka thënë se nuk ishte alternativë nëse do të jepte dorëheqje, por kur do ta bënte këtë.