BQK

Dinari në dialog? Gabim fatal vlerësohet një mundësi e tillë

QUINT-I, por së fundmi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, njëzëri po kërkojnë që zbatimi i rregullores së BQK-së që prek edhe dinarin, të shtyhet.

Në reagimin e tij DASH-i u shpreh i zhgënjyer, teksa për vendimin tha se u mor pa përgatitje dhe pa konsultim adekuat.

Disponimi për ta bërë një gjë të tillë së paku këto ditë nuk është parë në horizont as nga Banka Qendrore e Kosovës, por as nga krerët shtetërorë.

Por përveç ndërkombëtarëve, edhe në Kosovë ka mendime se kjo shtyrje duhet të ndodhë.

Për analistin Visar Ymeri afatizimi do të mundësonte që kjo çështje mos të shkojë në Bruksel. Sipas tij edhe një refuzim i kërkesës së ndërkombëtareve lehtësisht mund të sjellë sanksione të reja.

Visar Ymeri – Drejtor i Institutit “Musine Kokalari” ka theksuar se “Është e domosdoshme që kjo punë të afatizohet, të shtyhet zbatimi, të jepet kohë mjaftueshëm, dhe të njëjtën kohë të shmanget që kjo të bëhet temë e dialogu me Serbinë sepse pastaj, edhe vetë vendimi do pësoj ndryshime sepse nëse e fut në negocim një vendim atëherë nuk mund ta marrë qindpërqindëshin dhe në këtë vendim nuk duhet të ketë hapësirë për kompromis”.

Mundësinë që dinari të bëhet pjesë e dialogut e vlerëson gabim fatal analisti tjetër politik, Visar Xani, teksa vlerëson se nuk duhet të jepet material për një ftohje të sërishme të marrëdhënieve me aleatët.

Visar Xani- Analist politik ka theksuar se “Edhe pse ka të bëjë me një vendim të brendshëm të Kosovës prapë do duhej një vulë ndërkombëtare e aleatëve tanë strategjikë, me qëllim që vendime të tilla të kenë sukses. Sa i përket asaj se a do duhej të përfshihej në procesin e dialogut, konsideroj që do ishte gabim fatal nëse depërtohet në tavolinën e bisedimeve se pastaj do bëhej një taktikë rutinë, që çdo problem politik ose që mund të ngritet nga qytetarët serbë ose nga Beogradi të futet një pjesën e dialogut.”

Lidhur me këto kërkesa, ditë më parë u pyet kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Banka Qendrore është institucion i pavarur dhe se politikanët nuk mund të ndërhyjnë në punët e saj.

VIDEO BONUS: Ndalimi i dinarit, Hovenier: S’e di si mund të shmanget frustrimi te serbët lokalë, jam i shqetësuar