Të ftuar nga Lista Serbe, shumë qytetarë serbë ia kanë mësyer sheshit në Mitrovicën e Veriut, për të protestuar kundër Rregullores së Bankës Qendrore, sa i përket dinarit.
Fillimisht, ishin pensionistët ata që thanë se do dilnin në protestë, mirëpo, në këtë shesh, janë parë qytetarë serbë të moshave të ndryshme, të cilët kundërshtuan vendimin e Qeverisë Kurti, për përdorimin e euros në pagesa, në këtë zonë të Kosovës.
“Evropë hapi sytë”, “Pa ndihma sociale s’do të kemi as buke për të ngrënë”, “Pensionin që e kam fituar tërë jetën, nuk e jap për Kurtin” e “Rezoluta 1244, SHBA na ndihmoni”, ishin disa nga parullat që u përdorën në protestë.
Para protestuesve ka folur edhe një përfaqësuese e pensionistëve serbë.
Pos përfaqësueses, ka folur edhe Dragana Milikovic e cila është prezantuar si profesoreshë, e që vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës e ka quajtur diskriminues, pasi, ndikon direkt në mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Më pas, protesta është mbyllur pas fjalimeve të përfaqësuesve serbë.
Sa i përket përdorimit ose jo të dinarit, ditë më parë janë deklaruar edhe krerët institucional, ndër ta, edhe Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk tërhiqet nga vendimi i tij.
Për çështjen e dinarit është diskutuar edhe në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u mbajt ditë më parë, ku përherë të parë tryeza e këtij këshilli, i ka bërë bashkë kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.







