Kryeministri i Kosovës

Dinari, Hetemi në komuna, grupet terroriste serbe: Tri rastet kur Kurti e befasoi ShBA-në me vendimet rreth veriut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar për “cilësinë” e raporteve me Kosovën, pas vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit. Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka nënvizuar faktin se “nuk kemi qenë të njoftuar paraprakisht për rregulloren e BQK-së”.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë dhe as e vetme që ShBA-ja ishte befasuar nga vendimet e pakoordinuara të Qeverisë Kurti.

Ditë më parë, Hovenier ishte i qartë në theksimin se nxjerrja e rregullores së re nga BQK-ja, që ndalon dinarin serb, ishte bërë pa ndonjë paralajmërimi.

“Sa e kam kuptuar, vendimi është marrë më 27 dhjetor. Nuk besoj që kemi pasur ndonjë paralajmërim për të. Me dëshirë do të kishim biseduar me qeverinë e Kosovës për sfidat me të cilat përballen. Nëse qeveria ka qenë e shqetësuar për shkak të automjeteve të blinduara që kanë sjellë shuma të mëdha të parave të gatshme dhe ka dashur të gjejë mënyra alternative për ta bërë këtë që do të ishte më pak të cenueshme, me shumë dëshirë do të kishim biseduar për ato çështje. Nuk besoj se ka pasur bisedime të tilla. Por, që kur u mor vendimi, vazhdimisht ia kemi shprehur shqetësimet tona autoriteteve të qeverisë së Kosovës.” – kishte thënë Hovenier në një intervistë për RTV 21.

Megjithatë, amerikanët u befasuan edhe nga një vendim tjetër i pakoordinuar e i paparalajmëruar nga Kurti që sërish ndërlidhet me veriun. Në majt të vitit 2023, ShBA-ja u befasua nga vendimi i Kurtit që kryetarët e katër komunave në veri të dërgoheshin në objektet komunale nën shoqërim të Policisë së Kosovës.

Në një takim me gazetarët kosovarë, Hovenier e kishte bërë të qartë që ky vendim ishte i pakoordinuar me ShBA-në.

“Operacioni që ka ndodhur të premten, për të siguruar qasje me dhunë në ndërtesat komunale, ishte i pakoordinuar me ShBA-në. Kur e kuptuam që kjo po ndodh, këshilluam që kjo të ndalet sepse i parashikuam pasojat të cilat po i shohim tash. Besojmë që kjo ka pasur pasoja negative për reputacionin e Kosovës, e ka kthyer prapa procesin e avancimit dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, kishte deklaruar Hovenier.

Ndërsa hera e tretë kur ShBA-ja u befause nga vendimet e Qeverisë Kurti përkitazi me shpalljen e dy organizatave serbe në veri si terroriste. Atëbotë, Departamenti amerikan i Shtetit kishte theksuar se shpallja si terroriste të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” ishte një vendim i pakoordinuar me ShBA-në.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, kishte thënë një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Sjellim ndër mend që aktualisht raportet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së janë të lënduara, pasi BQK-ja vendosi që përmes Rregullorës së re të ndalojë përdorimin e dinarit serb në territorin e shtetit kosovar. Dje ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, theksoi se raportet në mes Kosovës dhe ShBA-së janë prekur pas vendimit për dinarin serb.

“Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovoës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata.” – tha dje ambasadori Hovenier.

BONUS VIDEO| Në Mitrovicë zbulohet shtatorja e komandantin legjendar, Adem Jashari