Dimër në prill, Policia bën apel për kujdes në trafik pas reshjeve të borës

Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë me ngrica.

“Edhe pse jemi në stinën e pranverës dhe shumica e automjeteve në qarkullim mund të jenë me goma të verës, pas paralajmërimit se këtë javë gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit do të mbizotëroj mot me temperatura të ulëta (reshje të shiut, në lokacione të ndryshme mundësi për reshje bore, rrjedhje të ujit në rrugë e po ashtu edhe dëmtim i asfaltit dhe krijim i gropave), kërkohet nga shoferët që të shtohet kujdesi gjatë qarkullimit në rrugë, ku me rënien e temperaturave krijohen ngrica që rrezikojnë seriozisht pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës bazuar në kushtet meteorologjike apelon për kujdes dhe jep këto këshilla:

Përqendrohuni maksimalisht gjatë drejtimit të mjetit!
Mbani distancën e sigurt në mes mjeteve!
Përdorni rripin e sigurisë!
Respektoni kufizimet e shpejtësisë konform kushteve atmosferike të krijuara!
Mos përdorni telefoni mobil gjatë ngasjes!
Mos kryeni parakalime të ndaluara apo mos bëni manovra me mjet në rrugë!.