Dimër i vështirë po i pret kosovarët, një metër dru shkon deri në 80 euro

Çmimet e drunjve e peletit kanë shënuar ngritje krahasuar me vitin e kaluar. Qytetarët të cilët kanë filluar të blejnë këto lëndë djegëse shprehen të shqetësuar me çmimet e tyre. Derisa njohës të ekonomisë thonë se ngritja e çmimeve është duke u manipuluar.

Është nisur për t’u furnizuar me drunj që të ngrohet gjatë dimrit. Por Miradie Morina nga Prishtina këtë të martë nuk i bleu ato.

Kjo për shkak të çmimeve të larta të metrës së drurit gjatë këtij viti.

“Unë dola vetëm për më shiku çmimet e druve ato ishin shku në qiell, nuk kish kush i blenë ato dru”, u shpreh ajo.

Që çmimet e drunjve kanë shënuar ngritje e thonë edhe tregtarët.

Madje sipas tyre një metër dru shkon deri në 80 euro.

“Krahasuar me vitin e kaluar çmimet janë rritur dukshëm mirë, vjet kanë qenë ka 45-50…”, tha shitësi Ardian Musa.

E në mes të verës, përveç çmimeve të drunjve është  rritur edhe çmimi i peletit.

Krahasuar me vitin e kaluar çmimi i kësaj lënde djegëse është dukshëm më i lartë.

“Vjet këso kohë çmimet kanë qenë 175 – 180, kurse tash deri në 400 euro”, tha shitësi Kujtim Bequki.

Ndërsa sipas ekonomistit, Besnik Avdijaj çmimet janë duke u manipuluar nga shitësit.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të publikuar ditë më parë, çmimi i lendeve  djegëse të ngurta, dru zjarri, peletit është rritur për 43.5%.