Nuk ka kaluar shumë kohë prej kur anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, tash ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thoshte se Lista Serbe punon për shërbimin sekret të Serbisë, të njohur si BIA. Por, siç duket pushteti e ka ndryshuar, pasi sot me nënkryetarin e kësaj partie, Dalibor Jevtiqin, u panë të buzëqeshur në Brezovicë.

Lëvizja Vetëvendosje për vite radhazi kishte kritikuar partitë tjetra për bashkëpunim me Listën Serbe, por sot në Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti është edhe një ministër nga kjo pari, Goran Rakiq.

Para tre vjetësh, para se LVV-ja ta merrte pushtetin, Sveçla e quante Listën Serbe shënjestër të represionit të policisë serbe dhe shërbimit sekret serb – BIA.

“Zyrtarët e Partisë Liberale Serbe si përfaqësues të zërit opozitar ndaj organizimeve parapolitike të Beogradit zyrtar në Kosovë, si Lista Serbe në vazhdimësi është vënë nën shënjestër të represionit të policisë serbe dhe shërbimit sekret serb BIA. Është me të vërtetë për keqardhje se si koalicioni PAN e sheh ekzistencën e vet vetëm duke i shërbyer kërkesave, praktikisht ultimatumeve të Listës Serbe e cila në mënyrë aktive dhe të organizuar lufton shtetësinë e Kosovës. Kjo është në linjë me veprimet e Serbisë së Vuçiqit që në çdo mënyrë e metodë po lufton çfarëdo zëri opozitar përfaqësues të qytetarëve serbë të Kosovës. Fshehtas vrasin, rrahin apo sulmojnë pronat natën dhe zyrtarisht arrestojnë në kalimet kufitare ditën”, kishte thënë ai.

or, sot Sveçla nuk u pa kaq i ashpër dhe i nervozuar me Listën Serbe. Përkundrazi, u pa shumë i buzëqeshur, shkruan Demokracia.com.

Ai dhe nënkryetari i kësaj partie, njëherit kryetar i komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, kanë vizituar Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

Përmes një njoftimi për media, u bë e ditur se kjo vizitë vjen pas vendimit që të ndalohen motorët e borës në këtë qendër.

Vlen të përmendet se Kurti për një kohë të gjatë kishte thënë se do të përfshijë serbë në qeveri, por jo Listën Serbe.

Megjithatë, Goran Rakiq, një prej personave më të afërt me Aleksandër Vuçiqin, tani është Ministër për Komunitete dhe Kthim.