Abelard Tahiri, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka dalë në mbështetje të kandidatit të tyre për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari.
Tahiri ka thurur lavde për Hajdarin duke përmendur përvojën dhe pritshmëritë e tij se do të dijë t’i trajtojë me seriozitet nevojat e qytetarëve.
“Petrit Hajdari ka më shumë se 20 vite përvojë të çmuar në administratën shtetërore, politikë dhe diplomaci – një rrugëtim i gjatë i mbushur me përkushtim, profesionalizëm dhe rezultate konkrete. Jam i bindur se me këtë përvojë dhe vizion, si Kryetar i ardhshëm i Komunës së Drenasit, Petriti do të dijë t’i trajtojë me seriozitet dhe përgjegjësi hallet dhe nevojat e qytetarëve dhe do t’i japë Drenasit hovin e zhvillimit që e meriton. Suksese në këtë kapitull të ri dhe të priftë e mbara, Petrit” – ka shkruar Tahiri në rrjetin social “Facebook” më 28.07.2025
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka votuar Petrit Hajdarin si kandidat për kryetar të Drenasit në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12.10.2025.
Hajdari ishte në garë të brendshme me kryetarin aktual të kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
Lladrovci për herë të parë ishte bërë kryetar i Drenasit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2016, për tu rizgjedhur më 2017 dhe 2021.
Një prej zyrtarëve të PDK-së që kishte shoqëruar Ramiz Lladrovcin në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2021, ishte pikërisht Abelard Tahiri.
Madje Tahiri, asokohe, në kërkim të votës për Ramiz Lladrovci përball rivalit të tij, Driton Ajazi, ish-anëtar i PDK-së në Drenas, lavdëronte punën e Lladrovcit në krye të Drenasit.
“Qeverisjes zhvillimore e të bazuar në ligj, Ramizi i ka dhënë dimension të prekshëm e të mundshëm për qytetarët e Drenasit. Ai e ka drejtuar Drenasin drejt një destinacioni për investime e ndërmarrësi, duke e bërë komunën akter e partner, për të gjithë ata që kanë pasur vullnet e ambicie për t’u zhvilluar në Drenas. Me angazhimin e tij të pakursyer, ai i ka prirë qeverisjes lokale, duke u bërë shembull për të gjitha komunat e Kosovës. Prandaj ai do të fitojë mandatin e dytë, për të vazhduar me punë e përkushtim sepse punën dhe përkushtimin e tij, e kanë parë në vepër qytetarët. Ai është i tyre dhe me 14 nëntor, së bashku me ta, do të nisë misionin për ta nxjerrë Drenasin në tjetër nivel” – kishte shkruar Tahiri në një prej disa postimeve dedikuar Lladrovcit.
Mirëpo, në janar 2025, Tahiri u pa në shoqërimin e kundërshtarit politik në Drenas të Ramiz Lladrovcit.
Abelard Tahiri falënderoi Driton Ajazin për mbështetjen që ky po i jep PDK-së nga Drenasi.
“Sot e takova mikun tim, Driton Ajazin, të cilin e falënderova për mbështetjen e fuqishme që po i jep nga Drenasi, Partisë Demokratike, Bedri Hamzës dhe Memli Krasniqit. Përkushtimi i Dritonit dhe ekipit të tij për ta bërë Kosovën #MaMirë është i jashtëzakonshëm” – ka shkruar Tahiri më 16.01.2025.
Ramiz Lladrovci kishte shkuar në balotazh me Driton Ajazin nën ombrellën e Demokratët për Drenasin, në zgjedhjet e vitit 2021.







