Diktatori Lukashenko ia konfirmon besnikërinë Putinit

Sundimtari autoritar, Alyaksandr Lukashenko, thotë se Bjellorusia, e goditur rëndë nga raundet e sanksioneve ekonomike perëndimore për shtypjen brutale ndaj mediave të ndryshme dhe të pavarura, do të përmbushë detyrimet e saj financiare ndaj Rusisë “me çdo kusht”.

Bjellorusia është zhytur në trazira që nga gushti i kaluar për një zgjedhje të diskutueshme presidenciale që opozita thotë se ishte manipuluar për t’i dhënë Lukashenkos mandatin e tij të gjashtë radhazi në pushtet. Lukashenko që atëherë ka vendosur t’i shtyp protestat në rrugë dhe ata që kanë pasur mospajtime me pushtetin i ka shtypur me forcë vdekjeprurëse, duke burgosur mijëra njerëz dhe duke detyruar shumicën e udhëheqësve të opozitës që nuk janë burgosur të largohen nga vendi.

Perëndimi, i cili ka refuzuar të njohë rezultatet zyrtare të votimit dhe nuk e konsideron Lukashenkon si udhëheqësin legjitim të vendit, ka vendosur disa raunde sanksionesh kundër 66-vjeçarit, disa prej anëtarëve të familjes së tij, zyrtarë të tjerë të lartë, dhe në sektorët kryesorë ekonomikë. Më parë këtë muaj, BE vendosi ndëshkime të mëtejshme që synojnë dobësimin e regjimit pas uljes së detyruar të një aeroplani evropian të pasagjerëve në Minsk dhe arrestimit të një blogeri opozitar i cili ishte në bord.

Në një takim të papritur me Presidentin rus Vladimir Putin në Shën Petersburg, më 13 korrik, Lukashenko akuzoi Perëndimin për përdorimin e “terrorit individual” dhe falënderoi Rusinë për “një partner të besueshëm ekonomik”.

Lukashenko është takuar me Putin disa herë që nga fillimi i krizës së vazhdueshme në Bjellorusi. Putini tha se tregtia midis Bjellorusisë dhe Rusisë po lulëzonte, pavarësisht sanksioneve. Disa protestues janë vrarë me dhunë dhe disa organizata të të drejtave thonë se ka prova të besueshme të torturave që janë përdorur nga zyrtarët e Sigurisë Bjelloruse kundër disa prej të arrestuarve.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se tani janë të paktën 500 të burgosur politikë që mbahen në vend. Lukashenka, i cili ka drejtuar vendin që nga viti 1994, ka mohuar çdo keq bërje në lidhje me zgjedhjet dhe ka refuzuar të negociojë me opozitën për tërheqjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.