Një veturë tip “Toyota Auris” me targa të Rashkës, e cila është e drejtoreshës të administratës komunale të Komunës ilegale të Leposaviqit, Radmilla V., është djegur sot në mëngjes rreth orës katër në Leposaviq, raporton portali serb “kosovooline”.

Vetura është djegur në parkingun jo larg shkollës së mesme, pranë shtëpive dhe objekteve të banimit në rrugën “Millan Radulloviq Kërcun”. Në veturë janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa janë dëmtuar edhe dy vetura të tjera, një kombi dhe një veturë më e vogël udhëtarësh.

Banorët që jetojnë aty pranë thonë se ekipet zjarrfikëse dhe policia kanë mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet, ndërsa ekipet e forenzikës nga Prishtina kanë arritur në vendngjarje rreth orës 9 të mëngjesit.

Në parking, aty afër kanë qenë të parkuara edhe dy vetura të tjera, një kombi dhe një veturë më e vogël, të cilat gjithashtu kanë pësuar dëme të vogla materiale, si dhe është djegur edhe shtylla nga e cila furnizohen me energji elektrike shtëpitë dhe objektet e banimit aty pranë.

Komandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për “kosovonline” se sot herët në mëngjes në Leposaviq është djegur një veturë, por ka shtuar se ende nuk dihet motivi i djegies së veturës dhe se ekipet forenzikës kanë dalë në terren për hetim.