Këngëtari i ri dhe i talentuar, Diell Durmishi ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor, “Një botë për ne”, një këngë me mesazh të fuqishëm kushtuar paqes dhe të gjithë fëmijëve të botës.
Në një kohë kur luftërat dhe konfliktet ua shuajnë buzëqeshjet fëmijëve dhe ua venitin ëndrrat, Dielli, përmes zërit të tij, përcjell një mesazh të ndjeshëm dhe domethënës: fëmijët nuk duan luftë, armë dhe frikë, por paqe, dashuri dhe një fëmijëri të lumtur.
Përmes këngës “Një botë për ne”, artisti i ri vë në pah rëndësinë e një bote ku çdo fëmijë mund të rritet i lirë, i sigurt dhe i rrethuar nga dashuria, larg dhunës dhe konflikteve.
Ky projekt i ri shënon një tjetër sukses për vogëlushin e talentuar, i cili vazhdon të sjellë projekte muzikore me përmbajtje dhe mesazhe të veçanta, të dedikuara vendit, shkollës dhe fëmijëve në përgjithësi.
Me këngën “Një botë për ne”, Diell Durimisht bashkohet me zërat që përmes muzikës përcjellin një thirrje universale për paqe, duke rikujtuar se çdo fëmijë meriton të jetojë fëmijërinë e tij me buzëqeshje, shpresë dhe ëndrra për të ardhmen.







