Për herë të parë nga sot bizneset shqiptare nga diaspora do të bëhen me park të bizneseve, që do të ndërtohet në komunën e Malishevës.

Në kuadër të konferencës ekonomike të diasporës shqiptare, sot në mbrëmje do të nënshkruhet memorandumi ndërmjet Unionit dhe Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, MTI dhe Ministrisë së Diasporës për ndarjen e parcelës për parkun e bizneseve nga diaspora.

Bizneset nga diaspora e kanë mirëpritur këtë, duke thënë se sot Kosova po i hap dyert diasporës dhe firmave shqiptare.Drejtori i Unionit të Bizneseve Shqiptare nga Gjermania, Vëllaznim Kelmendi thotë për KosovaPress se parku do të jetë një ombrellë ose një autostradë e eksportit për prodhimet e bizneseve nga diaspora dhe Kosova.

Kelmendi nga kompania ‘Kelmendi. Gmbh, pohon se parku i bizneseve për diasporën që do të jetë mbi 50 hektarë sipërfaqe, do të jetë në funksion së shpejti për bizneset shqiptare.

Edhe Skënder Xhakaliu nga kompania “Ecolog” në Gjermani ka mirëpritur parkun për bizneset shqiptare të diasporë, sepse sipas tij, synimet e bashkatdhetarëve janë t’i orientojnë investimet në Kosovë.

Ish ambasadori në Gjermani, deklaron se marrëveshja për parkun tregon përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’u jepet mundësia dhe hapësira për investitorët nga diaspora.

Xhakaliu pohon se ka interesim për investime jo vetëm të bizneseve shqiptare të cilat ndjejnë edhe obligim që të investojnë në vendlindje, por tani ka interesim edhe nga kompanitë evropiane, sidomos gjermane.

Gjatë punës së tij si ambasador në mandatin gjashtë vjeçar në Gjermani, thotë se kon centrimi më i madh i punës dhe i dëshirës, ka qenë që të promovohet së pari Kosova, të arriturat e saj në aspektin ligjor dhe siguria e investimeve.