Emisari i BE-së

Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak paralajmëron sërish takime javën e ardhshme – tregon se cilat tema do të diskutohen

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje nga takimi i së martës mes dy kryenegociatorëve, atij të Kosovës dhe të Serbisë.

Lajçak në një postim në Facebook për takimin e së martës shkruan se ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte dhe ranë dakord që të vazhdojnë diskutimin të hënën e ardhshme në Bruksel.

“Çfarë fillimi i ngarkuar i javës në Bruksel! Dje prita dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar se si të avancohet zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me dialogun, duke përfshirë ndikimin e vendimit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera.

Ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte dhe ne ramë dakord që të vazhdojmë diskutimin tonë për këtë çështje të hënën e ardhshme në Bruksel, bazuar në propozimet konkrete dhe realiste që palët pritet të paraqesin paraprakisht. Në të njëjtën kohë, takimi tregoi gjithashtu se zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe mënyrat shtesë se si të zyrtarizohet ajo do të duhet të adresohen në nivelin më të lartë në një takim të liderëve…”, shkruan ai.

Lajçak po ashtu ka shkruar lidhur me takimet e javës së kaluar në Prishtinë e Beograd.

Ai thotë se diskutimet janë përqendruar rreth çështjeve urgjente në agjendën e dialogut, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës dhe zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sipas tij, si në Prishtinë, po ashtu në Beograd ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes pa vonesë dhe ka trajtuar çështjet urgjente që prekin dialogun.

I dërguari i BE-së për dialogun po ashtu njoftoi për takimet në Berlin ku takoi Jens Plötner, këshilltar i kancelarit gjerman për Politikë të Jashtme dhe Siguri, si dhe me bashkëbisedues në Ministrinë e Jashtme me të cilët ka folur për dialogun dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.