Emisari i SHBA-së

Dialogu Kosovë-Serbi dhe çështja e dinarit – Emisari amerikan, Escobar sot në Prishtinë

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar vjen sot për vizitë në Kosovë, ndërsa një takim është paralajmëruar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Takimi do të mbahet në ora 10:00, ndërkaq sipas njoftimi të Presidencës do të ketë edhe deklaratë për media.

Zëvendësndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike i SHBA-së, Gabriel Escobar në një konferencë për media online të martën ka folur për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe vendimin e BQK-së për dinarin serb.

“Prej Brukselit do të udhëtojmë në Prishtinë ku do të fokusohemi për efektet dhe një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për dinarin…”, ka thënë Escobar.

Ai ka shtuar se procesi i dialogut është në një moment kritik, dhe “më duhet të them se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“ I inkurajoj të dyja palët të implementojnë marrëveshjet e arritura sidomos atë të arritur në Ohër. Kjo është njëra ndër arsyet primare që po vizitojë Kosovën”, tha ai.

Escobar u shpreh se “duke injoruar dialogun Kosova po injoron partnerët evropianë”.

Sa i përket vendimit të BQK-së për dinarin serb, Escobar u shpreh se i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrin seriozisht rekomandimet e tyre.

“Ne nuk po e vëmë në diskutim legjitimitetin e vendimit, por zbatimin e tij. Ne kemi nevojë që Qeveria e Kosovës të bashkëpunoj me komunitetin ndërkombëtar që të gjejmë një zgjidhje për këtë vendim që ishte katastrofik”, tha Escobar.

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor ka thënë se raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës qëndrojnë në lidhjet mes dy popujve të të dyja vendeve.

“Marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Kosovës janë marrëdhënie që lidhen mes popullit amerikan dhe atij kosovarë, dhe nuk i takojnë një partie ose një njeriu”, tha Escobar.

Emisari amerikan megjithatë u shpreh se kanë probleme komunikimi me kryeministrin Albin Kurti. 

VIDEO BONUS: Komuna e Vushtrrisë dekoron sheshin e qytetit për Ramazan