Dialogu Kosovë-Serbi| Borrell bisedon me Kurtin dhe Vuçiqin

Pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Nëpërmjet një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti dhe Borrell kanë folur për Dialogun Kosovës-Serbi si dhe për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes.

“Ata folën për procesin e dialogut, mbarëvajtjen e tij, për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes, që për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, dhe për çështje aktuale”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti u shpreh se paqja dhe siguria në njërën anë dhe sundimi i ligjit dhe demokracia në anën tjetër shkojnë bashkë kudo në Kosovë.​

Borrell bisedë telefonike kishte edhe me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq në një postim në rrjetin social “Twitter”, ka shkruar se Serbia është e përkushtuar të vazhdojë procesin dhe t’i zgjidhë të gjitha çështjet e hapura.

“Sapo pata një bisedë të hapur me kreun e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, për situatën në Kosovë dhe për progresin në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Serbia është e përkushtuar të vazhdojë procesin dhe t’i zgjidhë të gjitha çështjet e hapura”, ka thënë Vuçiqi./Demokracia.com/