Shqiptari

Diagnozë për 20 sekonda me një foto të gjuhës, shqiptari bën aplikacionin inovativ në Kinë

Përparim Gjeka, sipërmarrësi shqiptar shumë i suksesshëm në Kinë, tregoi detaje nga largimi nga vendi deri te jetesa në vendin aziatik.

Ai rrëfeu se është larguar në vitin 1995, kur fitoi një bursë.

“Ishte një bursë nga ambasada kineze që u afishua në universitetin politeknik. Unë atëherë isha në vit të dytë. Konkurrova, duhet të ishte me mesatare mbi 8, të dije anglisht. Rastësisht pashë afishimin, dhe e fitova bursën. Në fillim u diplomova në vitin 2000. Kam qenë për inxhinieri elektronike në Politeknik, për të njëjtën degë u diplomova atje. Kina kishte nevojë për njerëz si puna ime me gjuhë të huaja. Fillova të merresha me tregti që atëherë. Më pas nga Shangai shkova në Amerikë. Në Shqipëri jam kthyer në vitin 2004“, u shpreh Gjeka.

Atje, ai ka ndërtuar një sipërmarrje të tijën. E nisi me import dhe eksport, ndërsa tani merret edhe me materialet e ndërtimit.

Si fillim nisa me import dhe eksport. Duke zgjeruar rrethin shoqëror atje, kam pasur mundësi për të investuar në fusha të tjera. Kam investuar në fushën e shëndetit me investitorë kinezë, edhe në fushën e materialeve të ndërtimit këtë vitin e fundit. Është një material i ri. Tani nuk ka nevojë të suvatohet por ka materiale të reja me hoje alumini. Ngjitet direkt te tulla dhe është anti-zjarr. Tani është futur edhe në Kinë “, shtoi ai.

Ai ka krijuar edhe një aplikacion për shëndetin.

“E kam pasur si ide që në vitin 2019, pastaj fillova që të eksploroj më tepër në fushën e shëndetësisë. Jam marrë dhe me inteligjencën artificiale. Ka aparate të tilla që në një pasqyrë të nxjerrin komplet parametrat e analizave. Kjo e mjekësisë tradicionale kineze, që me anë të gjuhës, mjekët të kuptojnë se çfarë problemi mund të kesh në organizëm. Në dy fotografi të gjuhës, futet në sistem, dhe të dalin analizat brenda 20 sekondash. Të del komplet raporti i komplet trupit. Ngarkohet në telefon. Nuk është futur akoma në Evropë por kjo fushë drejt kësaj po shkon. Te ky aplikacion është që të gjitha resurset që kanë të bëjnë me parandalimin e sëmundjeve të gjenden në të. Te ky aplikacion bëhet edukimi për parandalimin”, u shpreh sipërmarrësi. /abcnews.al