Dhurata që Haradinaj i bëri policit që u pensionua nga detyra
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka organizuar pritje me rastin e pensionimit të policit të Kosovës, Asllan Krasniqi, pjesëtar nga Njësia për Sigurimin e Objekteve me Rëndësi të Veçantë dhe Personaliteteve.
Me këtë rast, Haradinaj ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në përmirësimin e kushteve për të gjithë zyrtarët policorë.
“Arsyeja që jemi mbledhur sot, është të bëjmë një falënderim për shërbimin jetësor që e ka bërë ndaj qytetarëve të vendit, të rendit publik, të të mirave të këtij populli, në këtë rast Asllanit, policit të Kosovës. Po ashtu, edhe për shkak të fajësisë që e ndjejmë pasi që polici kur shkon në pension vërtetë është një pozitë e padrejtë pasi të ardhurat e tij përgjysmohen dhe ne ndihemi fajtor për këtë”, tha Haradinaj dhe shtoi se pagat e Policisë së Kosovës sipas ligjit të ri janë ngritur në të gjitha pozitat, përfshirë këtu edhe shtesat të cilat i takojnë sipas ligjit.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, në emër të popullit të Kosovës, i dhuroi policit të pensionuar Krasniqi, një orë dore, për shërbimin e tij shumëvjeçar e jetësor ndaj Kosovës.
Ndërkaq, Asllan Krasniqi, deri tash pjesëtar nga Njësia për Sigurimin e Objekteve me Rëndësi të Veçantë dhe Personaliteteve e ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen madhështore, duke thënë se e kishte nderin t’i shërbejë popullit të Kosovës, Qeverisë, veçanërisht Qeverisë Haradinaj.