Rasti tronditës i dhunimit të një vajze 14-vjeçare ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik.

Për këtë ngjarje shqetësuese, ka folur edhe psikologu Rron Kastrati në një lidhje direkte në emisionin Kosova LIVE në T7.

Gjatë diskutimit në studio, Kastrati ngriti alarmin për mungesën e kujdesit prindëror për të ofruar mbështetjen e duhur për fëmijët në rritje.

“Prindërit po fokusohen gjithnjë e më shumë në punë dhe në ndjekjen e parasë, ndërsa po harrojnë të jenë prezentë emocionalisht dhe fizikisht në jetën e fëmijëve të tyre,” deklaroi Kastrati.

Ai theksoi se kjo mungesë e përkushtimit dhe komunikimit lë hapësirë që fëmijët të bien pre e ndikimeve të jashtme dhe, në raste të rënda, të abuzimeve.