Dhuna në familje shënon rritje, kërkohet angazhim institucional për parandalim

Me temën për sigurinë dhe qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës ne familje, misioni i OSBE-s ka organizuar tryezën në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore.

Shefi i misionit të OSBE-s në Kosovë, Michael Davenport ka thënë se Kuvendi ka bërë një hap të madh kur ka votuar Konventën e Stambollit, por koha është që ligji të finalizohet.

“Mesazhi i OSBE-s gjatë të kësaj fushate është që t’i japim fund tani dhe të bashkohemi për t’i dhënë fund dhunës në familje. Të gjithë ne jemi tmerruar nga rastet e tmerrshme të vrasjeve këtu në Prishtinë gjatë javëve të kaluara. Dhe duke ju falënderuar PK-së, gjatë dy javëve të fundit në Kosovë ka qenë një vrasje, tre dhunime ndaj grave, dhe një sulm i dhunshëm me bazë gjinore kundër një burri në Prizren. Të gjitha këto duhet të veprojnë si një thirrje zgjimi për të gjithë ne, për të luftuar një herë e përgjithmonë e çrrënjosur dhunën në familje një herë e përgjithmonë”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka shtuar se Policia e Kosovës janë në linjën e parë të frontit dhe të njëjtit thirren për të intervenuar në rastet kur raportohet dhuna.

“Qasja që është marrë nga Policia dhe nga individi apo polici e ka një rol shumë të rëndësishëm në formësimin se si një rast procedohet e trajtohet. Gjithashtu edhe për të ndihmuar në parandalimin e krimeve në të ardhmen. OSBE është e përkushtuar që të mbështes partnerët tanë në luftimin e dhunës në baza gjinore, në ndërtimin e politikave, kapaciteteve… të gjitha gratë që janë vrarë nga burrat e tyre janë vrarë nga armë të ftohta”, ka shtuar ai.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se dhuna në familje po shënon rritje.

“Nga janar i këtij viti deri në tetor, janë 2333 raste të dhunës në familje. Prej tyre 1901 janë gra e vajza. Është kambanë alarmi se masat dhe veprimet nuk po mjaftojnë. Gratë dhe vajzat po përballen me dhunues recidivist”, tha ai.

Edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë se trajtimi më i mirë për gratë është parandalimi i rasteve të dhunës.

“Forma kryesore mbi të cilën është e nevojshme që të koncentrohemi është parandalimi i rasteve të dhunës në familje. Këto ndryshime për personat fajtorë, u ndalohet kandidimi në pozita në nivel qendror dhe lokal, trajtimi i lëndës nuk zgjat më shumë se një vit dhe emrat e dhunuesve publikohen në faqen zyrtare”, tha Sallahu./Kp