Dhuna në familje

​Dhuna në familje alarmante, 1883 viktima për 6 muaj

Vetëm në gjysmën e këtij viti janë raportuar 1805 raste të dhunës më familje, ku viktima ishin1475 gra dhe 408 meshkuj, e që ky vit pritet të jetë me numrin e rasteve më të mëdha të raportuara në tri vitet e fundit.

Sipas Policisë së Kosovë, në vitin 2021, ishin raportuar 2456 raste të dhunës në familje. Kurse, në vitin 2022, ishin raportuar 2764, ku kryesisht janë ndaj grave. Megjithatë, një numër i raste ngelet brenda katër mureve të shtëpisë. Kjo për shkak të jo efikasitetit të institucioneve në menaxhimin e këtyre lëndëve, dhe gjithashtu edhe për shkak të kërcënimeve të personave që ushtrojnë dhunë ndaj gruas.

Policia e Kosovës në një email për KosovaPress, tregoi se ndër vite ka realizuar fushata vetëdijësuese për pasojat e dhunës në familje, duke potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar.

Policia thekson se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale, i ka ndihmuar që porosia e tyre të përhapet dhe të shkojë tek sa më shumë persona.

“Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është si parandalimi për dhunën në njërën, anë si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet, ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh ndër vite. Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor, trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së, është e domosdoshme. Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapet dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar, sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla,” u përgjigj policia në një email.

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se viteve të fundit ka pasur një raportim më të madh të rasteve të dhunës në baza gjinore, kryesisht në familje.

Sipas saj, RRGK-ja i ofron viktimave të dhunës monitorim falas në gjykata, avokat i cili i përfaqëson ato në institucione kompetente dhe këshillim ligjor falas.

“Ajo se çka RRGK-ja, ofron për viktimat e dhunës në familje në përgjithësi, viktimat e dhunës në baza gjinore, është që ofron monitorim falas në gjykata, kemi avokat i cili i përfaqëson viktimat e dhunës në familje në institucionet kompetente, bën shkresa, padi, lënda të tjera të cilat janë të nevojshme, në të njëjtën anë kemi dhe këshillim ligjor falas që ne e ofrojmë. Përveç kësaj, RRGK është në teren gjatë gjithë kohës, në kontakt të ngushtë me shumë gra, me vajza që i informon ato për të drejtat e tyre edhe ku ato munden të kërkojnë ndihmë”, tha Breznica.

Breznica shtoi se njëra nga arsyeve që gratë nuk e raportojnë rastin është për shkak se shumë prej dhunuesve njohin persona në institucione e Kosovës dhe trajtimi i lëndës dhe raportimi është më i sikletshëm.

“Pa dyshim që një viktimë e tillë përafërsisht ka qenë viktimë e dhunës për 10 vite me radhë, ajo ka duruar në një ambient të tillë për shkak që kërcënimet e dhunuesve janë shumë të forta në Kosovë, për shkak që vlen të ceket edhe shumë prej dhunuesve kanë persona të njohshëm në institucione tona dhe prandaj trajtimi i lëndës dhe raportimi është pak më i sikletshëm, për shkak që viktima konstant është duke u kërcënuar prej dhunuesve duke thënë që “nëse raporton dhunën në institucionet kompetente, unë i kam personat e mijë atje, nuk ki ku të shkosh, nuk ke çfarë të bësh“. Përveç kësaj vlen të cekët se kur një grua është viktimë e dhunës në familje, ajo ka pësuar edhe dhunë ekonomike fillimisht, dhe nuk është e pavarur ekonomikisht, nuk ka as shtëpi, as pronë, as punë e as pagë, kështu që raportimi është shumë i vështirë në raste të tilla për shkak që personi në fjalë nuk e sheh një mbështetje se ku të shkojë”, vijoi Breznica.

Ndërsa, psikologu Kristjan Halilaj, tha se dhuna psikologjikisht te gratë, fëmijët dhe meshkujt ndikon në zhvillimin psikologjik dhe emocional, në humbjen e vetëbesimit dhe në kujdesin e vetës.

Zgjidhja më e mirë sipas Halilaj, është zgjedhja e ëndrrave dhe luftimi për realizimin e tyre, pasi që njerëzit në ditët e sotshme kanë harruar ëndrrat, idealet dhe gjërat më të çmueshme që ata i frymëzojnë.

“Dhuna në familje, shkakton probleme të ndryshme, varësisht prej individëve, varësisht se si manifestohet te individët, jo domosdoshmërisht kalon në depresion, por arrin me shkaktuar edhe varësi emocionale, varësi alkoolike, abuzimi me droga e të tjera… Zgjedhja e ëndrrave të një personi dhe lufta për realizimin e ëndrrave është zgjidhja më e mirë për të tejkaluar apo mos pasur depresion, pasi që njerëzit në ditët e sotshme kanë harruar ëndrrat, kanë harruar idealet dhe kanë harruar gjërat më të çmueshme që ata i frymëzojnë, dhe kalimi në jetë monotone, të ditë për ditshme dhe robotike, është njëra ndër arsyet pse njerëzit kanë kalua në depresion, humbja e motivit dhe humbja e shpresës për jetën”, u shpreh ai.

Ai shtoi se njëra prej problematikave në ditët e sotshme ku përballen gratë është edhe mungesa e informimit për një trajtim adekuat.

“Njëra prej problematikave në ditët e sotshme, ku përballen gratë është edhe mungesa e informimit për një trajtim adekuat, pasi që në shumicën e rasteve pasi gratë dhunohen, një ndër format e zgjidhjes së problemeve është komunikimi me familjarët apo me nënat e tyre, të cilat kanë pasur ndoshta edhe dhunë në familje dhe mentaliteti maskulist dhe ideja që nevojitet me qëndruar në familje apo në një martesë, përderisa janë të martuar, shkaku i mos humbjes së fëmijëve, vazhdon me pas një jetë të dhunshëm”, shtoi Halilaj.

Ai iu sugjeron të gjitha grave dhe njerëzve të cilët janë të dhunuar, të kërkojnë ndihmë psikologjike në rritjen e vetëbesimit në mënyrë që t’i tejkalojnë këto varësi psikologjike ndaj dhunës.

Sipas Policisë, në vitin 2021, viktima të dhunës në familje ishin 2486 femra dhe 500 meshkuj. Kurse, në vitin 2022, ishin 2289 femra dhe 519 meshkuj.

Kosova ka 9 strehimore, të cilat veprojnë në regjione të ndryshme dhe viktimat e dhunës në familje apo në baza gjinore kanë një derë të hapur ku munden të kërkojnë ndihmë.