Dhomat e sigurta në QKUK, në favor të të burgosurve me ndikim

Tani e tutje të gjithë të burgosurit dhe paraburgosurit që kanë nevojë për trajtime mjekësore, këto shërbime do mund t’i marrin në tri klinika të ndryshme brenda Qendrës Klinike Univeristare. Kjo pasi komisioni i formuar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK),i përbërë edhe nga udhëheqës të Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë vendosur që brenda Klinikës së Kardiologjisë, Kirurgjisë dhe Ortopedisë të ketë nga një dhomë të sigurt që do menaxhohen nga Shërbimi Korrektues. Megjithatë, kjo zgjidhje po kundërshtohet nga organizatat që merren me të drejtat e njeriut.

Deri tek kjo zgjedhje ka ardhur pas arratisjeve të shumta që personat e privuar nga liria kanë bërë gjatë trajtimit mjekësor. Por përkundër kësaj, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu thotë për KosovaPress, se përmes këtyre tri dhomave do ofrohet siguri më e madhe për të burgosurit gjatë trajtimit mjekësor, si dhe do ofrohen kushte më të mira mjekësore.

Sejdiu tha se tashmë këto dhoma janë në dispozicion të Shërbimit Korrektues dhe se ato do menaxhohen nga ky shërbim, i cili do kujdeset për pajisjen me infrastrukturën e nevojshme.

Brenda QKUK-së kanë qenë edhe tri dhoma tjera të sigurta të vendosura në Klinikën e Psikiatrisë, por në mungesë të kushteve dhe stafit të duhur mjekësor, ato nuk janë shfrytëzuar.

Lidhur me këto dhoma, drejtori i SHSKUK-së deklaron se ato do i kthehen SHSKUK-së për të dhënë shërbime për personat me probleme psikike. Në anën tjetër, zgjidhja e SHSKUK-së sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), nuk është afatgjate dhe e duhura. Kjo organizatë po insiston që të ndërtohet një spital brenda hapësirave të Shërbimi Korrektues të Kosovës. Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala derisa nuk pajtohet me këtë zgjidhje për kujdesin mjekësor ndaj personave të privuar nga liria, thotë se brenda Shërbimit Korrektues ka hapësirë të mjaftueshëm për të ofruar shërbime mjekësore, po që sipas tij nevojiten investime në infrastrukturë dhe staf mjekësor. Sipas tij, dhomat e sigurta brenda hapësira të QKUK-së janë vetëm vazhdim i diskriminimit në favor të të fortëve, dhe në të keqe të atyre që nuk kanë përkrahje politike apo mundësi materiale.

E në zyra për informim brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës duke mos dhënë detaje i ka thënë KosovaPress, se është duke u punuar në caktimin e dhomave të sigurta brenda QKUK-së, dhoma këto të cilat do të jenë të siguruara me kamera dhe pajisje teknike.

Duke iu referuar dhomave të sigurta që kanë qenë në Klinikën e Psikiatrisë, SHKK ka thënë se aty nuk ka pasur kushte që të trajtohen personat e privuar nga liria.Kujtojmë që javë më parë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës është arratisur një i paraburgosur, ku për këtë rast, përgjegjës u nxorën dy gardianët të cilët ishin të angazhuar në kohën e arratisjes së këtij të paraburgosuri. Gardianët fillimisht u suspenduan dhe pastaj u arrestuan për këtë rast.

loading…