Vendimi

Dhjetë vjet burg për të akuzuarin për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet heqje lirie S.B., i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në kohën e luftës së armatosur në Kosovë.

Më 26 mars të vitit 1999 në Fushë Kosovë, në stacionin e autobusëve, derisa një numër i madh i banorëve shqiptar ishin tubuar në stacion, pasi që ishin detyruar të largoheshin nga vendbanimi i tyre shkaku i dhunës që ishte ushtruar ndaj tyre, i akuzuari S.B. me të paktën 10 persona të tjerë të njohur dhe të panjohur, duke vepruar së bashku me pjesëtarët e forcave të armatosura serbe kishte dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e më shumë se 40 civilëve, meshkuj shqiptar të Kosovës duke aplikuar masat e frikësimit dhe terrorit.

Fillimisht, ishin ndarë burrat në njërën anë, ndërsa në anën tjetër gratë dhe fëmijët, pastaj meshkujt i kishin detyruar që të qëndronin në gjunjë dhe kishin filluar t’i rrihnin dhe t’i detyrojnë të këndojnë këngë serbe.

Pas kësaj, i akuzuari S.B. kishte kryer arrestime ilegale dhe marrje të pengjeve, në atë mënyrë që duke pasur të ndjerin H.B. fqinjin e parë dhe me të vërejtur se i njëjti ishte në turmën e popullatës civile shqiptare, i akuzuari vepron duke luajtur rol kryesor në identifikimin e tij, duke urdhëruar arrestimin e tani të ndjerit H.B, e që mbetjet mortore të të ndjerit janë gjetur në një varrezë masive në Arbri të Prishtinës. Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.