Escobar-Kurti

Dezinformatat për Gabriel Escobar, Qeveria mohon se lajmi për largimin e tij ka rrjedhur prej tyre

Qeveria e Kosovës ka mohuar se lajmi që qarkulloi në fundjavë për “shkarkimin” e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të ketë dalë nga ta.

Përgjigja e Qeverisë vjen pasi vetë Escobar tha se ky raportim doli pak kohë pasi ai komunikoi me Qeverinë e Kosovës, për të diskutuar lidhur me kalimin e tij në një detyrë tjetër në Departamentin amerikan të Shtetit pas përfundimit të mandatit të tij.

“Nuk kemi ndonjë kontakt me gazetarin në fjalë, me të cilin nuk ndajmë qëndrim sa i përket pretendimeve të tij në lidhje me emisarin Escobar”, thuhet në përgjigjen e qeverisë për Zërin e Amerikës.

Escobar tha sot se shkrimet e fundjavës për “shkarkimin e tij” janë “dezinformata” të prodhuara nga “një i ashtuquajtur gazetar” dhe raportimet dolën pasi, kontaktoi me qeveritë në rajon për të diskutuar lidhur me kalimin e tij në një detyrë tjetër në Departamentin amerikan të Shtetit pas përfundimit të mandatit të tij.

“Ky raportim doli pak kohë pasi unë komunikova me qeverinë e Kosovës”, tha Escobar.

Gjatë fundjavës, Vedat Xhymshiti, shkroi se diplomati Escobar është larguar nga detyra për shkak të lidhjeve financiare të familjes së tij me institucione shtetërore serbe, respektivisht të bashkëshortes së Escobar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë si dhe një kontrate ligjore ndërmjet Republikës Serbe dhe zyrës ligjore amerikane McGinnis Lochridge më 2019, ku sipas Xhymshitit partner është një familjar i Escobar.

“Dua të them drejtpërdrejt se çdo gjë në atë raportim është gënjeshtër dhe vërtetueshëm gënjeshtër”, tha Escobar.